Ilustrim

Kllokot, gjuajtën me Kallashnikovë gjatë festimit të Krishtlindjes ortodokse, arrestohen dy prej tre të dyshuarve

Tre qytetarë të Kosovës të nacionalitetit serb janë identifikuar nga Policia si pjesëmarrës në një gjuajtje me Kallashnikovë gjatë festimit të Krishtlindjes ortodokse në Kllokot.

Të dyshuarit janë parë në një video-incizim.

Dy prej tyre janë arrestuar përderisa i dyshuari i tretë është në kërkim policor.

Dy të arrestuarit, A.S., rreth 31-vjeçar dhe D.M., rreth 27-vjeçar, dyshohen për armëmbajtje pa leje, shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe përdorim të armës.

“Pas marrjes së informatave përmes rrugëve operative, sigurimit dhe analizimit të video inçizimeve ka identifikuar tre të dyshuar serb kosovar nga të cilët ka arrestuar dy nga ta pasi të njëjtit dyshohet se me datën 7 janar 2023 në Kllokot rreth mesnatës me rastin e festimit të festës së Krishtlindjeve Ortodokse në Kllokot kanë shtënë me armë zjarri” – ka thënë Policia.

Me këtë veprim, sipas Policisë, të dyshuarit kanë shkaktuar rrezik të përgjithshëm.

Tutje është thënë se me urdhëresë të gjyqtarit të procedurës paraprake është realizuar kontroll në tri lokacione të ndryshme, përderisa armët që u përdorën u tha se nuk janë gjetur ende.

“Dy armë automatike AK-47 të cilat dyshohet se janë përdorur në këtë rast nuk është arritur që të gjenden aktualisht” – thuhet në njoftim.

Policia gjithashtu ka treguar se dy të dyshuarit pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, janë ndaluar për 48 orë.

Ndaj tyre, sipas Policisë, do të ushtrohet kallëzim penal për veprat penale – shkaktim i rrezikut të përgjithshëm; mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve; dhe përdorim i armës.