Vitali Klitschko. Foto: Erion Veliaj/Facebook
Klitschko me mesazh nga Kievi, falënderon Shqipërinë për mbështetjen
Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko përmes një video mesazhi nga kryeqyteti i Ukrainës ka falënderuar Shqipërinë dhe qytetarët e saj për mbështetjen.
Klitschko ka falënderuar edhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
“Të dashur qytetarë të Shqipërisë! E dashur Tiranë! I dashur miku dhe kolegu im, Erion! Së pari, dua t’ju falënderoj për strehimin e refugjatëve nga Ukraina, sidomos të fëmijëve tanë. E çmojmë shumë mbështetjen tuaj politike dhe ndërkombëtare. Ndihma juaj është shumë e rëndësishme për ne në këto çaste kritike”, ka thënë Klitschko.
Në videon e publikuar nga Veliaj, Klitschko thotë se nuk do e harrojnë kurrë kush janë miqtë e vërtetë të Ukrainës.
Qytetarë të Tiranës, shtetas ukrainas, ambasadorë dhe përfaqësues të delegacioneve të huaja në Shqipëri dhe shoqërisë civile, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe deputetë, morën pjesë në manifestim.
Ata theksuan mbështetjen që Shqipëria po jep dhe do vazhdojë të japë në strehimin e refugjatëve ukrainas për aq kohë sa ata do të kenë nevojë.