Klinika e Urologjisë në QKUK rikthen shërbimin ESWL për trajtimin e gurëve në veshka

Klinika e Urologjisë në QKUK më 25.11.2024 ka njoftuar se ka rikthyer shërbimin e rëndësishëm për trajtimin e gurëve në veshka dhe sistemin urinar ESWL (Extracorporeal Shock Wave Lithotripsy).

Sipas njoftimit, ky shërbim ka qenë jashtë funksionit për një periudhë kohore, por tani është rikthyer në një hapësirë të rinovuar, duke ofruar standarde të reja dhe kushte moderne për pacientët.

“Për të përmirësuar efikasitetin dhe qasjen për qytetarët, orari i shërbimit është zgjatur, duke mundësuar trajtime në dy ndërrime. Ky ndryshim synon të përshpejtojë procedurat dhe të reduktojë kohën e pritjes për pacientët që kanë nevojë për këtë trajtim”- thuhet tutje në njoftim.

Aparatura për ESWL është vendosur jashtë sallave operative, një masë që është marrë për të shmangur rreziqet e infeksioneve dhe për të siguruar kushte më të sigurta gjatë procedurave.

Tutje thuhet se rikthimi i shërbimit ESWL është një hap tjetër drejt avancimit të shërbimeve shëndetësore në Kosovë, duke reflektuar përkushtimin për modernizimin e kujdesit ndaj qytetarëve dhe përmirësimin e vazhdueshëm të infrastrukturës mjekësore.