Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Klinika e Onkologjisë furnizohet me citostatikë për pacientët me kancer

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, ka njoftuar se kjo klinikë është furnizuar me barnat e nevojshme për pacientët me kancer.

“Klinika e Onkologjisë është furnizuar me ilaqet e nevojshme!!”, ka shkruar Kurtishi në llogarinë e tij në Facebook.

Një ditë më parë, KALLXO.com raportoi se në Klinikën e Onkologjisë në ShSKUK ka mungesë të citostatikëve, tash e disa ditë.

Kjo mungesë është shkaktuar për shkak të mungesës së buxhetit për vitin 2022.

Drejtori i kësaj klinike, Ilir Kurtishi, i tha KALLXO.com se mungonin disa lloje të citostatikëve, e që në tërësi ky grup përmban 58 lloje.

Citostatikët përdoren për mjekimin e tumoreve të ndryshme malinje (karcinome, limfome, leukemi). Terapia citostatike përdoret me qëllim që të arrihet shërim i sëmundjes malinje dhe kombinohet me metoda tjera të mjekimit (me trajtimin kirurgjik dhe trajtimin jonizuesradioterapi).

Këto ilaçe janë pjesë e listës esenciale të barnave dhe kushtojnë shumë shtrenjtë.

Sipas ligjit, barnat e Listës esenciale të barnave duhet t’u jepen të gjithë qytetarëve që kanë nevojë dhe është e drejtë e garantuar.