Klinika e Onkologjisë e stërmbushur me pacientë

Klinika e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, mëngjesin e sotëm është vërshuar nga një numër i madh i pacientëve.

Pacientë të kësaj klinike kanë raportuar në KALLXO.com për ngarkesë të madhe me pacentë.

Disa prej tyre madje kanë thënë se kanë marrë terapinë e tyre edhe në korridore.

Ekipi i KALLXO.com ka vizituar Klinikën e Onkologjisë gjatë ditës së sotme, me ç’rast një qytetar në kushte anonimiteti ka thënë se në orët e mëngjesit ka qenë një numër i madh i pacientëve.

Mirëpo, drejtori i kësaj klinike, Ardian Millaku tha se nuk ka informacione se pacientët e kanë marrë terapinë në korridor por që konfirmoi “stërmbushjen e pacientëve të kësaj klinike.

Në Klinikën e Onkologjisë çdo ditë ka numër të madh të pacientëve që marrin shërbime të ndryshme. Nuk kam informacione që ka marrë dikush terapi në korridor, megjithëse sallat janë të stërmbushura dhe ndërrohen disa herë pacientët. Lajmi i mirë është që aparaturat e Radioterapisë do të kthehen në funksion nga java tjetër dje s’ ka diçka të parashikuar ndërkohë”, ka thënë ai për KALLXO.com.