Klinika e Biokimisë në renovime deri në dhjetor

Klinika e Biokimisë në Prishtinë do të jetë ne renovime deri në fund të dhjetorit.

Kështu bëri të ditur Mirlinda Qyqalla, zëdhënëse e QKUK-së.

“QKUK ju njofton se renovimi i Klinikës së Biokimisë Mjekësore do të kushtojë 109 mijë 235,48 euro, punimet janë paraparë të kryhen për 60 ditë pune pas fillimit te punimeve”, u shpreh Qyqalla.

Sipas drejtorit të klinikës Shemsi Veseli puna në këtë eepart vazhdon me një numër te limituar të pacientëve, ku rastet me tumore kanë përparësi.

“Puna jonë vazhdon me rregull edhe pse reparti është në renovime ne punojmë  në një pjesë të tij, e kemi caktuar si limit që gjatë ditës të pranojmë nga 30 pacientë, por kemi raste kur arrijmë në numër edhe më të madh të pacientëve”, tha Veseli për KALLXO.com.

Ndërsa sipas drejtorit pacientët shërbimet mjekësore mund t’i kryejnë edhe në qendrat e mjekësisë familjare.

Gjithashtu, Qyqalla theksoi se ky repart në fund të vitit me përfundimin e renovimeve në dhjetor pritet të furnizohet me inventar të ri.