Ilustrim

Klinë, xhami i veturës në oborr të shtëpisë dyshohet se u dëmtua nga e shtëna në ajër në një aheng familjar

Policia në Klinë është informuar se ishte dëmtuar xhami i veturës së një qytetari, të cilën e kishte pasur të parkuar në oborrin e shtëpisë së tij.

Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur në fshatin Qupevë e Ulët, më 31.07.2024, rreth orës 21:10.

Pasi janë informuar, Policia ka dalur në vendin e ngjarjes dhe ka gjetur një predhë përmes së cilës dyshohet se është goditur xhami i veturës.

Policia njofton se gjatë patrullimit në atë zonë është vërejtur se është një  aheng familjar dhe dyshohet se predha ka ardhur nga ai drejtim.

Me këtë rast, është arrestuar një person i cili dyshohet se kishte shtënë me armë në ajër gjatë ahengut familjar. 

“Lidhur me rastin është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar dhe i njëjti gjatë intervistimit e ka pranuar se ka shtënë me armë në ajër gjatë ahengut familjar. Nga i dyshuari është sekuestruar një pistoletë dhe një gëzhojë. Me vendim të prokurorit i njëjti pas intervistimit është dërguar në mbajtje” – thuhet në njoftimin e Policisë, më 01.08.2024.

Rasti është inicuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Armëmbajtje pa leje”.