
Kandidati për deputet, Abdullah Klinaku. Foto:Denis Sllovinja/KALLXO.com
Klinaku: Strategjia kundër korrupsionit, brenda 100 ditëve të para të mandatit qeverisës
Kandidati për deputet, Abdullah Klinaku nga Demokracia Konservatore e cila është pjesë e koalicionit AAK-Nisma, hartimin e strategjisë për luftimin e korrupsionit e konsideron si një nga detyrat e para që duhet të bëjë qeveria e re.
Sipas tij, qysh në 100 ditët e para të qeverisjes do ta hartojë Strategjinë kundër korrupsionit.
“Çështja e parë që duhet bërë nga një qeverie e re është hartimi i Strategjisë për luftimin e korrupsionit, pastaj edhe inkuadrimi ose avancimi i institucioneve që luftojnë korrupsionin dhe bëjnë zbatimin e ligjshmërive. Strategjia kundër korrupsionit duhet të kryhet në 100 ditëshin e parë”- tha Klinaku.
Strategjia për luftimin e korrupsionit, sipas tij, do të ndërtohet mbi parimin e paanësisë, meritokracisë dhe fuqizimit të institucioneve që luftojnë korrupsionin.
Përndryshe pa një strategji të tillë, sipas Klinakut, “nuk mund ta kemi mirëbesimin e qytetarëve”. Krijimi i kësaj strategjie, siç thotë ai, do të mund të bëhet përmes përvetësimit të metodave më të mira që ndjekin shtetet tjera për luftimin e korrupsionit.
“Nuk mundesh me pas mirëbesim te qytetarët nëse nuk e ke nxjerr një Strategji anti-korrupsion. Strategjia nuk është një zbulim- është një përvetësim i metodave më të mira që ndjekin shtetet për luftimin e korrupsionit dhe qeveria normale që e ka qëllimin e mirë e që donë me e shty agjendën anti-korrupsion përpara, mundet me i përvetësuar metodat më të mira të vendeve, me i adaptu me nevojat tona dhe thjeshtë mundesh me e përgatit shumë shpejt”- tha ai.
Ardhja në pushtet e Lëvizjes Vetëvendosje, sipas Klinakut, ka qenë një shpresë e madhe për qytetarët e Kosovës se do të bëhen punë të mira, mirëpo edhe ajo shpresë, siç thotë ai, ka humbur.
“Ne e dimë që premtimet e tyre elektorale janë kanë shumë populliste dhe kanë prekë çdo qytetar kur kanë thënë që akraballëku e farefisi krejt janë për dasma, por jo për punësime. Ideja që me qenë meritokracia niveli kryesor i qeverisjes, ideja që ka me u luftu korrupsioni, por për fat të keq ne aktualisht e kemi një gjendje ku lenë për të dyshuar shumë për korrupsion jo të vogël”- ka thënë ai.
Ndërsa, kur u pyet nëse do t’i shkarkojnë bordet që i ka emëruar Qeveria aktuale, ai tha se do të bëhen analiza dhe në bazë të rekomandimeve që dalin nga to, do të veprohet.
“Unë nuk besoj që në mbledhjet qeverisë mund të shkarkohet një bord ad hoc”- tha Klinaku
Ai nuk e përjashton si mundësi inkuadrimin e ekspertëve nga organizatat ndërkombëtare në përzgjedhjen e bordeve.
Sipas tij, kjo do të kishte ndikim pozitiv në meritokraci.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marr pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.
RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” në nisje të debatit ku u diskutua për meritokracin në institucionet publike tha se: “Emërimi i komandantëve, drejtorave dhe bordagjinjëve vazhdoi me logjikën e njëjtë edhe në këtë mandat. Profesionalizmi u mat me sa të vjetrën e ke librezën e partisë, sa pare i ke dhënë donacion partisë, dhe sa shumë bërtet nëpër tubime zgjedhore. Meritokraci se jo mahi”.