Klinaku: Pushteti po tenton të na provokojë nga dritaret e Kuvendit

Faton Klinaku, ushtrues i detyrës së kryetarit të OVL-së së UÇK-së, ka thënë se janë duke marrë provokime nga dritaret e Kuvendit, në protestën që është duke u mbajtur para Kuvendit të Kosovës.

Sipas Klinakut, provokimet kanë ardhur, siç tha ai nga pushteti.

“Pushteti po tenton të na provokojë, nuk kemi problem na me policinë, mos na provokoni”, ka thënë Klinaku gjatë protestës.

Veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë duke protestuar para objektit të Kuvendit të Kosovës.

Në anën tjetër, njësitë e Policisë së Kosovës janë duke qëndruar në oborrin e Kuvendit.

Protesta e sotme është paralajmëruar nga ana e OVL UÇK, që po kërkojnë tash e sa kohë, që pensioni për veteranët e UÇK-së të përfshihet në Ligjin për paga.

Me 68 vota pro, asnjë kundër dhe gjashtë abstenime, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim Projektligjin që i hap rrugë rritjes së pagës minimale në Kosovë.

OVL-UÇK në vazhdimësi kanë kundërshtuar mospërfshirjen e veteranëve në Ligjin për paga.

Më 6 qershor, para Kuvendit të Kosovës kanë protestuar Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Veteranët kanë protestuar për të kundërshtuar mos përfshirjen e tyre në projektligjin për pagat.