Klinaku: Nuk i dorëzohem vullnetarisht Gjykatës Speciale

Sekretari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë se sot është kontaktuar nga zyrtarët e Gjykatës Speciale.

Në një prononim për emisionin “Imazh” të RTK-së, Klinaku ka thënë se në telefon është pyetur nëse di gjermanisht apo anglisht.

“U thash se di edhe gjermanisht edhe anglisht, por nuk dua të flas. Ju thash se unë flas vetëm gjuhën shqipe”, tha ai, duke shtuar se që nga thirrja e parë më nuk është kontaktuar nga zyrtarët e Speciales.

Tutje ai tha se nuk do të paraqitet në këtë gjykatë vullnetarisht.

“Nuk e di çfarë ka thënë avokati Tomë Gashi. Nuk i shkoj kësaj Gjykate, derisa nuk e njohim, sidomos kur i kaluar mandati. Mund edhe të arrestohem, por edhe ata që i kanë kidnapuar, Gucatin dhe Haradinajn, janë të kundërligjshme”, tha Klinaku.

I pyetur se ku ndodhet aktualisht, ai tha se është në qytet me shokë duke pirë kafe. /RTK