Klinaku: Nuk e kemi ndërmend të ndalemi përballë çdo qeverie e çdo kryeministri

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-së së UÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë se janë duke protestuar sot pasi sipas tij janë duke u shkelur të drejtat që u takojnë pjesëtarëve të luftës së UÇK-së.

Klinaku ka thënë se OVL-UÇK nuk do të ndalen.

“Kryeneçësia e këtij kryeministri me të cilin u morëm vesh që do të takohemi një herë në muaj, ai mendon që duke mos bashkëpunuar me ne si me sindikatat, e duke mos na mbështetur e përkrahur mendon që do të na shtrijë përtokë. Qeveria shkon e vjen por ne nuk e kemi ndërmend të ndalemi përballë çdo qeverie e çdo kryeministri. Fatkeqësisht duhet të protestojmë për të mbrojtur vlerat e asaj lufte që na solli këtu. Duhet të protestojmë sepse po shkelen të drejtat që u takojnë pjesëtarëve të luftës”, ka thënë Klinaku.

Veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë duke protestuar para objektit të Kuvendit të Kosovës.

Protestuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e kanë thyer kordonin e Policisë së Kosovës dhe kanë depërtuar brenda oborrit të Kuvendit të Kosovës.

Faton Klinaku ju ka bërë thirrje protestuesve të ruajnë qetësinë dhe të mos lëndojnë Policinë.

Në oborrin e Kuvendit janë duke qëndruar pjestarë të Policisë dhe Njësisë Speciale.

Protesta e sotme është paralajmëruar nga ana e OVL UÇK, që po kërkojnë tash e sa kohë, që pensioni për veteranët e UÇK-së të përfshihet në Ligjin për paga.

Me 68 vota pro, asnjë kundër dhe gjashtë abstenime, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim Projektligjin që i hap rrugë rritjes së pagës minimale në Kosovë.

OVL-UÇK në vazhdimësi kanë kundërshtuar mospërfshirjen e veteranëve në Ligjin për paga.

Më 6 qershor, para Kuvendit të Kosovës kanë protestuar Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Veteranët kanë protestuar për të kundërshtuar mos përfshirjen e tyre në projektligjin për pagat.