Klinaku nga OVL e UÇK-së reagon pas votimit të Ligjit për pagën minimale

Faton Klinaku nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar pas miratimit të Ligjit për pagën minimale në Kuvendin e Kosovës.

Klinaku ka thënë se deputetët kanë votuar këtë Ligj pa i përfshirë edhe veteranët e luftës së UÇK-së.

Ai ka theksuar se organet drejtuese të OVL-së do të mblidhen dhe do të vendosin për hapat e ardhshëm pas votimit të këtij Ligji.

“Siç po e marr vesh nga mediat, pasi u largua opozita nga salla, në terr, deputetët e këtij pushteti të paskrupullt, e kanë kaluar ligjin për pagën minimale duke i hequr veteranët e luftës së UÇK-së. Ne do të takohemi si organe drejtuese dhe do të vendosim për hapat që do t’i ndërmarrim”- ka shkruar ai.

Me 60 vota për dhe një abstenim Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për pagën minimale.

Sipas këtij Ligji paga minimale do të bëhet 264 euro.

Deputetë prezentë në këtë mbledhje nuk kanë përkrahur asnjë amendament të propozuar për këtë Ligj.

Ky Projektligj në parim është miratuar një vit më parë, përkundër protestave të organizuara nga veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët kërkonin përfshirjen e tyre në Projektligjin për pagat.