Klinaku i OVL-UÇK-së paralajmëron protestë

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL – UÇK, Faton Klinaku, ka deklaruar se kanë thirrur mbledhjen e Kryesisë për të vendosur pas zhvillimeve të fundit duke nisur nga fjalimet e ministrave e deri tek arrestimi i sotëm i Faik Fazliut.

Klinaku nuk e ka përjashtuar as mundësinë e mbajtjes së një proteste pas këtyre zhvillimeve.

“Para se me ndodh rasti i arrestimit të Faik Fazliut (ish kreut të OVL UÇK dhe familjarë i tre dëshmorëve) dhe ushtrimit të dhunës ndaj tij nga ana e policëve, kanë ndodhur skandale siç është rasti i thirrjes së Fahri Fazliut (poashtu familjarë i dy dëshmorëve) nga gjykata speciale, i cili gjatë kohës së luftës ishte vetëm 8 vjeçar. Kanë ndodhur edhe gjëra të tjera, siç është shkelja e të drejtave të njeriut ndaj të arrestuarve në Hagë, deklarimet skandaloze të ministrave ku këtë shqetësim ia kemi shprehur edhe Albin Kurtit në takim, prandaj OVL UÇK ka thirrë prej të premtes e për nesër (e hënë) mbledhjen e Kryesisë, ku do të vendos se çfarë të bëjë lidhur me këto zhvillime”, ka shkruar Klinaku në rrjetin social “Facebook”.

“Ata që akuzojnë në disa mediume patriotike, dhe disa që qesin flakë në fb, të përgatiten nëse mbahet protestë sepse ajo nuk mbahet me qindra por me mijëra”, shtoi ai.

KALLXO.com raportoi mëngjesin e sotëm se pas një incidenti në një kafeteri në rrugën “Tranziti i Ri” në Prizren është arrestuar ish- kryetari i OVL- UÇK, Faik Fazliu.

Sipas Policisë i njëjti është arrestuar nën dyshimin se ka kanosur një zyrtar policor të cilët ishin në asistim të Inspektoratit të AUV-it, gjatë inspektimeve për respektimin e masave kundër COVID- 19.

Gjatë ditës së sotme Klinaku bëri publike edhe disa pamje ku shihej Fazliu deri sa po fliste me disa zyrtarë policorë në një kafene në Prizren ndërsa pamjet tregojnë edhe një moment kur ai bie në tokë pasi zyrtarët policorë e shtyjnë atë.