Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Klina me 54 fshatra, Elezaj premton park në çdo fshat

Kandidati për kryetar të Komunës së Klinës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Zenun Elezaj ka premtuar se do të ndërtojë parqe në çdo fshat të Klinës, nëse vazhdon të qeverisë me komunën.

“Ne do të ndërtojmë park në çdo fshat dhe atë 30 parqe do t’i ndërtojmë në komunë brenda katër vitesh që janë me një sipërfaqe prej 5 ari dhe janë të dizajnuar dhe së shpejti do të shfaqen edhe si video, që t’i shohin qytetarët”, tha ai.

Sipas të dhënave në faqen zyrtare të komunës, Klina i ka 54 fshatra. 

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Klinës, diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Klinës; Besim Hoti nga LDK; Esat Raci nga PDK; Lulzim Dragidella nga LVV; Zenun Elezaj nga AAK. 

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Klinës: Fatjona Gashi nga AAK; Marigona Racaj nga LDK; Mendehie Duraku nga PDK; Teuta Mulaj nga LVV.