Klina e Vitia do të vazhdojnë të jenë në karantinë

Komuna e Klinës dhe ajo e Vitisë, që kanë qenë komunat e para në të cilat janë lajmëruar rastet me coronavirus, do të vazhdojnë të mbeten në karantinë deri në një vendim tjetër të Qeverisë së Kosovës.

Kështu është vendosur në mbledhjen e 22-të të Qeverisë së Kosovës, e cila është mbajtur dje.

Qeveria e Kosovës më 13 mars kishte marrë vendim që t’i fus në karantinë këto dy komuna.

Në karantinë do të vazhdojë të qëndrojë edhe Komuna e Malishevës, e cila është komuna me më së shumti raste të regjistruara me coronavirus në Kosovë.

Gjatë ditës së djeshme është vendosur që gjendja emergjente e shëndetësisë publike të vazhdojë deri në një vendim tjetër të Qeverisë kurse kufizimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve do të jetë në fuqi deri më 12 prill.

Që nga 13 marsi, kur edhe është lajmëruar rasti i parë me coronavirus, deri më sot janë regjistruar 145 të prekur me coronavirus, 23 të shëruar dhe 3 të vdekur. Viktima e parë është regjistruar më 22 mars, kurse dy viktimat e tjera janë regjistruar në orët e hershme të mëngjesit të ditës së sotme.