Ilustrim - Automjetet e kompanisë "Pastrimi" për heqjen e mbeturinave | Foto: Facebook

Klientët mister “XX” dhe “?”, i kanë borxh kompanisë “Pastrimi” mbi 156 mijë euro

Auditori i Përgjithshëm në Kompaninë Regjionale të Mbeturinave “Pastrimi”, gjeti që kësaj ndërmarrje publike u kishin borxh klientë për të cilët kompania nuk ka asnjë të dhënë për ta, kjo gjendje figuron nga viti 2000.

“Regjistri i klientëve të ndërmarrjes, përmban 1,227 klientë të cilët janë evidentuar me emërtimin “XX”, “XN”, dhe “?”, e që janë borxhlinj të ndërmarrjes për shumën prej 156,424 euro. Përveç kësaj, në këtë regjistër figurojnë edhe 12 klientë të tjerë, në shumë 1,906 euro, për të cilët nuk ka asnjë emërtim. Kjo gjendje është nga viti 2000, e që ka vazhduar edhe në vitin 2021”, thuhet në gjetjen e raportit.

Tutje raporti tregon se, sipas konfirmimit të menaxherit të shërbimit me klientë, dhe bazuar në raportin e punës së komisionit të emëruar nga Kryeshefi Ekzekutiv për investigimin e klientëve, theksohet se kjo dukuri daton nga viti 2000 e tutje me qëllim të ruajtjes së numrit rendor të klientëve dhe se këta klientë që kanë mbetur në regjistër janë të panjohur.

Megjithatë, evidentimi i klientëve vetëm përmes shifrës “XX”, “XN” apo “?”, pa evidentimin e adresës së klientit dhe informatave tjera bazike identifikuese si emri dhe mbiemri, sipas auditorit paraqet dobësi të theksuara në menaxhimin e llogarive të arkëtueshme të kompanisë.

Përveç kësaj, auditori në raport përmend edhe ndikimin që mund të ketë, ku evidentimi i konsumatorëve në regjistrin e ndërmarrjes pa përshkrim të informatave bazike, rrezikon arkëtimin e mjeteve monetare për shkak të pamundësisë së aplikimit të masave ligjore ndaj këtyre debitorëve.

Gjithashtu llogaritë pa emërtim ngrisin dyshime rreth saktësisë dhe të drejtave të Kompanisë për arkëtim, me ndikim në mos prezantim të saktë të llogarive, andaj bordit të drejtorëve ju rekomandua që brenda një afati të arësyeshëm të korrigjohet gabimi

“Bordi i Drejtorëve duhet të sigurojë që brenda një afati të arsyeshëm kohor, të shqyrtojë dhe të marrë masat e nevojshme korrigjuese, në mënyrë që të gjithë klientët e evidentuar me emërtimin “XX”, “XN” dhe “?”, të regjistrohen në emër të shfrytëzuesve të shërbimit. Njëkohësisht të rishikohen llogaritë e debitorëve tjerë për të cilët nuk ka asnjë informacion identifikues në regjistër”, rekomandon Auditori.

Nga menaxhmenti i ndërmarrjes janë pajtuar me gjetjen e raportit.

Për më tepër, nëpërmjet letrës së konfirmimit, të datës 16 qershor 2022 nga atëherë kryeshefi ekzekutiv Burim Kelmendi, konfirmohet se e ka pranuar raportin dhe është pajtuar me gjetjet pa ndonjë koment për përmbajtjen e raportit të auditimit për “Raporti i Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të KRM Pastrimi Sh.A për vitin 2021”.

Burim Kelmendi është shkarkuar nga pozita e kryeshefit ekzekutiv nga bordi i drejtorëve. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se është shkarkuar për shkak se ka keqmenaxhuar me kompaninë.