Klasat e 6-ta në Shkollën 'Andon Zako Çajupi' në Bardhosh të Prishtinës kanë dy muaj pa mësimdhënëse të gjuhës shqipe

Nxënësit e klasave të gjashta në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Anton Zako Çajupi” në Bardhosh të Prishtinës kanë mbetur pa mësimdhënëse të gjuhës shqipe që nga tetori i këtij viti.

Arsye për këtë po del të jetë gjendja shëndetësore e mësimdhënëses për klasët e gjashta, pasi që sipas drejtorit të kësaj shkolle mësimdhënësja ka një sëmundje të rëndë.

“Arsimtarja që u jep mësim klasave të gjashta ka probleme shëndetësore, e ka një sëmundje të rëndë. Para se me fillu tetori ajo ka bërë kërkesë në DKA që t’i mundësohet pensionim i parakohshëm se edhe dy vite pensionohet”- ka thënë për KALLXO.com Fehmi Zeqiri, drejtor i shkollës “Andon Zako Çajupi” në Bardhosh të Prishtinës.

“Tash është formuar komisioni në nivel komunal dhe ia kanë vlerësuar dokumentacionin. Edhe ministria e ka pas publikuar një raport ose një njoftim që arsimtarët që janë më probleme shëndetësore, sëmundje të rënda, atyre t’iu mundësojë të shkojnë në pension të parakohshëm” – ka thënë tutje Zeqiri.

“Tash është formuar komisioni në nivel komunal edhe e kanë shqyrtuar dokumentacionin e saj mirëpo janë duke e pritur një vendim prej Ministrisë së Arsimit më duket për t’i legjitimuar kërkesat e tyre. Në momentin që legjitimohet kërkesa e tyre iu jep mundësi për të marrë mësimdhënës të rinj” – ka shtuar drejtori i kësaj shkolle i cili ka thënë se në këtë rast orët e gjuhës shqipe në këtë shkollë zëvendësohen nga mësimdhënësit e kësaj shkolle por që zëvendësimi i tyre nuk është gjithmonë i mundshëm vetëm nga arsimtarët që ligjërojnë gjuhë shqipe.

“Arsimtarët e gjuhës shqipe ia mbajnë lëndën kur kanë mundësi. Për shembull, (kur) kanë gjatë asaj dite orë më pak, vijnë mbajnë gjuhë shqipe. Por më shumë i mbajnë edhe me arsimtarët tjerë për shkak se nuk ka arsimtarë adekuat që e plotëson gjithë nevojën e arsimtares”- është prononcuar ai.

Për këtë Zeqiri ka thënë se pa vendimin e Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA) nuk mund të angazhohet një mësimdhënës i ri për këtë pozitë.

Në anën tjetër, Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati ka thënë se çështja qëndron te një udhëzues që e ka bërë Ministria e Financave dhe Ministria e Arsimit.

“Problemi po është që Ministria e Financave dhe Ministria e Arsimit e ka bërë një farë udhëzimi për t’iu paguar rrogat mësimdhënësve që janë me gjendje të rëndë shëndetësore. Por, tash problemin që po e kemi ne si komuna që nuk po mundemi ta zbatojmë është që ata e kanë vënë si politikë të re, por në anën tjetër nuk na kanë rritë numrat që ka për të punuar dikush tjetër në vend të tyre” – është pronocuar ajo për KALLXO.com.

Tutje, e para e DKA-së në Prishtinë  ka thënë se për këtë e kanë kontaktuar edhe Ministrinë e Arsimit.

Ndërkaq nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) kanë bërë të ditur për KALLXO.com se kjo skemë është për zëvendësimin e mësimdhënësve në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Ideja është që mësimdhënësi në gjendje të rëndë shëndetësore të mos mbetet pa pagë, ndërkohë që për mbajtjen e orëve të kompensohet mësimdhënësi tjetër. Mësimdhënësit zëvendësim mund të jenë edhe mësimdhënës ekzistues të cilët plotësojnë normën ose paguhen për mbinormë, por edhe të punësuar me kohë të caktuar” – thuhet në përgjigjen Edona Kutleshi-Maliqaj, këshilltare për media në këtë ministri.

Sipas MASHTI-t, për vitin 2022 janë ndarë 1.7 milion euro për këtë qëllim dhe po aq do të ndahen edhe për vitin 2023.

Në udhëzuesin për trajtimin e këtyre rasteve të cilin e ka siguruar KALLXO.com tregohet për mënyrën e zëvendësimit ku thuhet se “Zëvendësimin e mësimdhënësve me gjendje të rëndë shëndetësore e bëjnë DKA-të; Zëvendësimi bëhet me mësimdhënës të drejtimit përkatës duke: Angazhuar mësimdhënës të punësuar në komunë që nuk e kanë normën e plotë; Angazhuar mësimdhënës të punësuar në komunë që mund të marrin orë shtesë/mbinormë; Angazhuar mësimdhënës të rinj nga lista e pritjes; Shpallur konkurs”.

Ndërkaq, të martën e 6 dhjetorit Drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Besianë Musmurati ka shpjeguar për KALLXO.com se për këtë çështje komunat kanë pasur takim me Ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci.

“Sot e diskutuam këtë punë dhe Ministria e Arsimit mbeti ta thërrasë Ministrinë e Financave edhe ata të shikojnë çfarë përgjigje munden me na dhënë për këtë punë. Një shkresë ka për ta dorëzuar Ministria e Arsimit në Ministrinë e Financave për ta parë se si mund ta zgjidhim këtë problem që e kemi në të gjitha komunat e Kosovës” – tha Musmurati për KALLXO.com.

Ajo tutje tha se në Komunën e Prishtinës një problem i tillë nuk është vetëm në shkollën “Andon Zako Çajupi” në Bradhosh por se vetëm në këtë komunë janë gjithsej 22 raste të mësimdhënësve me gjendje të rëndë shëndetësore e që sipas udhëzuesit të ministrisë u na takon të marrin pagë.