Kjo është pasuria e Ramiz Buzhalës, kryeprokurori i Gjakovës që u suspendua pas raportimit të KALLXO.com

Pasuria e paluajtshme e kryeprokurorit të Gjakovës, Ramiz Buzhala, i cili u suspendua pas raportimit të KALLXO.com, kap vlerën 113 mijë e 840 euro.

Kështu ka deklaruar Buzhala në Agjencinë Kundër Korrupsionit, ku edhe thuhet se pasuria luajtshme e tij është 12 mijë e 600 euro.

Në pasurinë e paluajtshme, Buzhala ka deklaruar se ka një banesë në vlerë 50 mijë euro dhe një banesë në ndërtim në vlerë 63 mijë e 840 euro, që të dyja në pronësi të tij.

Ndërsa, në pasurinë e luajtshme, Buzhala ka deklaruar se ka një veturë “Passat” në vlerë 5 mijë euro dhe në pronësi të tij, e po ashtu ai ka deklaruar edhe një veturë “Golf VI” në vlerë 7 mijë e 600 euro, në pronësi të fëmijëve.

Buzhala ka deklaruar se para të gatshme të mbajtura në institucione financiare i ka 68 mijë euro, të cilat ka thënë se janë në zotërimin e tij në RBKO.

Sa i përket të hyrave vjetore, Buzhala ka deklaruar se nga vendi i tij i punës në Gjakovë merr pagë prej 2 mijë e 228 euro e 67 centë. Ai, po ashtu për punën e tij si prokuror ka deklaruar se merr shumën e parave 26 mijë e 49 euro e 22 centë.

Bashkëshortja e Buzhalës, sipas AKK-së, ka disa lloje të të hyrave vjetore. E para është nga marrëdhënia e saj e punës në Prizren që kap vlerën 1 mijë e 740 euro dhe e dyta me burim të punës gjyqtare që kap vlerën e 20 mijë e 880 eurove.

Sa u përket fëmijëve, Buzhala ka deklaruar se shuma e parave prej 1 mijë e 140 euro vjen nga marrëdhënia e punës si mjeke dhe 2 mijë e 240 euro nga një marrëdhënie tjetër e punës në Suharekë.

“Ese aktakuza, Prokurori i Shtetit, Gjykata Kushtetuese”, kështu fillon një mesazh i cili i është dërguar ekipit të KALLXO.com në orën 11:25 më datën 13 korrik 2022.

Ky mesazh i dërguar nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ramiz Buzhala, në numrin e gazetares së KALLXO.com,  vazhdon tutje me përmbajtjen: “Pyetje: vazhdimi i paraburgimit për të mitur, kush e zgjedh drejtorin e njësitit të performancës, dënimet plotësuese, procedurat alternative, dallimi lirim me kusht dhe dënimi me kusht, dallimi në mes të parashkrimit të ndjekjes dhe ekzekutimit të dënimit, qëllimi i masave të diversitetit, dorëzania”.

Kryeprokurori Buzhala i drejtohet dikujt se “këto janë pyetjet e testit me shkrim. Shiko shfrytëzoje kohën deri në orën 13:00”.

Kryeprokurori Buzhala pasi dërgoi pyetjet dhe udhëzimin se ka kohë deri në orën 13:00, tutje ai vazhdon të thërras në telefon ndërsa kur përgjigjet ekipi i KALLXO.com, ai nis arsyetimin.

“Adelina, përshëndetje! Adelina… Adelina…! Ja gabim, gabim jem, Adelina gabim është diçka…”, nis bisedën kryeprokurori Buzhala, derisa nuk përgjigjet se nga kush i ka marrë këto pyetje?

“Po më fal ku keni dashtë me i dërgu këto pyetje, ku i ke adresu?”, pyetet nga gazetarja.

“Janë gabim, gabim janë, qe s`priton me i fshi…”, kërkon kryeprokurori Buzhala nga ekipi i KALLXO.com.

Në momentin që kryeprokurori Buzhala merr vesh se pyetjet janë dërguar në adresë të gazetares së KALLXO.com, ai kërkon sërish fshirjen e përmbajtjes së mesazhit me pyetjet për testin me shkrim për bashkëpunëtorë profesionalë.

Ai nuk pranon të japë përgjigje se kujt ia kishte adresuar këto pyetje, ndërsa vazhdon sërish të kërkoj që të fshihen ato.

“Adelina të kesh mirëkuptim sepse gabim janë dorëzu…”, thotë gjatë bisedës me KALLXO.com, kryeprokurori Buzhala.

“Kryeprokuror është e rëndësishme me e dit se ku keni dashtë me i dërgu, do të thotë pyetjet dhe kë e keni udhëzu se si me u përgjigj?”, vazhdon insistimin ekipi i KALLXO.com për të marrë përgjigje nga ana e kryeprokurorit Buzhala, se për kë janë të destinuara këto pyetje të cilat ai i kishte nisur mëngjesin e sotëm në adresë të KALLXO.com.

Në njërën nga sekondat e bisedës, dëgjohet prokurori deri sa shprehet “kuku. Q….n….” dhe mbyll telefonin.

KALLXO.com me të marrë vesh se ishte duke u mbajtur një test me shkrim për bashkëpunetorë profesionalë për disa prokurori të ndryshme, ka shkuar në ndërtesën ku po mbahej testi me shkrim.

Gjatë asaj kohe sa ekipi qëndroi në ndërtesë, gjatë bisedave me disa nga të testuarit për pozitën e bashkëpunëtorit profesionalë, të njëjtit ia konfirmuan ekipit të KALLXO.com se pyetjet ishin të ngjashme sikurse ato që i kishte dërguar kryeprokurori Buzhala gazetares së KALLXO.com.

Raportimi i KALLXO, suspendohet kryeprokurori i Gjakovës, Ramiz Buzhala