Kjo është pasuria e deputetit që dyshohet se iu vodhën 50 mijë euro cash

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta ka deklaruar në Policinë e Kosovës se në orët e para të së premtes, 24 qershor 2022, iu janë vjedhur 50 mijë euro cash nga banesa e tij.

Shkreta pasurinë e tij e ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, mirëpo në tabelën ku tregohet se sa para të mbajtura në institucione financiare, nuk ka deklaruar se posedon edhe para cash.

Sipas raportit të Antikorrupsionit, në dy llogari bankare, deputeti Shkreta ka deklaruar se posedon në total 101 mijë e 689 në emër të tij.

Ai po ashtu ka deklaruar edhe paratë në tri llogaritë e bashkëshortes së tij, që në total janë 21 mijë e 98 euro.

Shkreta, sipas raportit të Antikorrupsionit pasuri të paluajtshme ka gjithsej 435 mijë e 400 euro.

Ai ka deklaruar se ka një shtëpi banimi në vlerë 200 mijë euro, të cilën e ka në pronësi të përbashkët dhe trashëgimi.

Po ashtu, Shkreta ka thënë se trashëgimi dhe në pronësi të përbashkët i ka edhe dy lokale afariste, njëra në vlerë 27 mijë euro dhe tjetra 20 mijë e 400 euro.

Ai ka deklaruar edhe një lokal tjetër afarist në vlerë 80 mijë euro, nën pronësi të përbashkët Shkreta ka thënë se e ka siguruar përmes kredisë dhe të hyrave vetanake.

Ndërsa, lokalin e katërt afarist, në vlerë 38 mijë euro Shkreta ka thënë se e ka nën pronësi të përbashkët edhe e ka siguruar përmes trashëgimisë, kredisë dhe të hyrave vetanake.

Përmes trashëgimisë, kredisë dhe të hyrave vetanake në raportin e AKK-së është thënë se deputeti i LVV-së e ka edhe një banesë në vlerë 70 mijë euro vetëm në pronësi të tij.

Deputeti Shkreta ka deklaruar se posedon dy vetura, njëra në emër të tij në vlerë 25 mijë euro, me prejardhje të pasurisë kredi dhe tjetra veturë me vlerë tre mijë euro me prejardhje të pasurisë nga të hyrat vetanake dhe nën pronësinë e bashkëshortes së tij.

Sa i përket posedimit të aksioneve në shoqëri komerciale, Shkreta ka deklaruar se ka pasuri në vlerë 5 mijë euro.

Ai në shoqërinë komerciale “Integrident” ka 50 për qind të aksioneve, që i bie kapitali në euro 2 mijë e 500 euro, ndërsa bashkëshortja e tij ka 50 për qindëshin tjetër të aksioneve, pra 2 mijë e 500 eurot tjera.

Deputeti Shkreta ka deklaruar dy kredi.

Njërën nga kreditë prej 85 mijë euro që e ka marr për tri vite e ka deklaruar për nevoja të biznesit. Ndërsa, 20 mijë euro tjera kredi të marra më 2021 i ka deklaruar se i ka marr për blerje të veturës.

Kjo kredi, sipas deklarimit të tij do të përfundoj në vitin 2027.

Ai ka deklaruar pagën e deputetit me vlerë prej 19 mijë e 926 euro, ndërsa nga biznesi i tij individual “Dens-M” nuk ka deklaruar asnjë të hyrë.

Ndërsa, për biznesin e tij tjetër “Integrident” ai ka deklaruar 3 mijë e 600 euro të hyra.

Po ashtu, deputeti Shkreta ka deklaruar edhe pagë vjetore prej 6 mijë e 100 euro nga një universitet privat në Prishtinë.

Shkreta ka deklaruar edhe dy të hyra të tjera të bashkëshortes së tij, 6 mijë e 100 euro pagë nga një institucion privat shëndetësor dhe 902 euro pagë të bashkëshortes nga Universiteti i Prishtinës.