Kjo është pasuria e Armend Zemajt, juristit të propozuar nga LDK për ministër të Shëndetësisë

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, është propozuar sot nga partia e tij që të udhëheqë me Ministrinë e Shëndetësisë në Qeverinë për të cilën pritet të votohet të mërkurën 3 qershorit në Kuvendin e Kosovës.

Zemaj, deputet i disa legjislaturave të Kuvendit nga LDK-ja, synon të udhëheqë me shëndetësinë, ndonëse me profesion është magjistër i shkencave juridike.

Armend Zemaj ka përfunduar studimet në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës.

Aktualisht ai është kryetar i Komisionit për Integrim Evropian në Kuvendin e Kosovës.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të 6 tetorit 2019, Armend Zemaj ka marrë 10 mijë e 567 vota, i pozicionuar si i 15-ti në listën e më të votuarve të LDK-së, sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së.

Sipas një publikimi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në vitin 2018, Armend Zemaj ishte deputeti i cili kishte udhëtuar më së shumti jashtë vendit.

Sipas KDI-së, kuletës së shtetit udhëtimet e Zemajt, i kanë kushtuar 6 mijë e 632 euro e 42 centë.

Armend Zemaj sa ishte kandidat për deputet në zgjedhjet e fundit nacionale, në një intervistë për KALLXO.com kishte folur për prioritetet e tij të punës si ligjvënës.

Institucionet publike sipas Zemajt janë vendet ku ky i fundit merr trajtim mjekësor, ndërsa kishte shtuar se kjo gjë nuk do të ndryshojë edhe nëse i njëjti merr mandatin e radhës në Kuvend.

Pasuria e Armend Zemajt

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion, në vitin 2019 ka deklaruar pasuri të paluajtshme me vlerë 420 mijë euro në kuadër të së cilës ka përfshirë tri prona, dy prej të cilave në pronësi të përbashkët dhe tjetrën në emër të tij.

Si pasuri të luajtshme, Zemaj e ka deklaruar një veturë të cilën ka theksuar se e ka blerë dhe se e ka vlerën 11 mijë euro.

Në deklarimin e pasurisë në vitin 2019, deputeti ka deklaruar se ka para të gatshme në bankë me shumën 6 mijë euro.

Sa i përket të hyrave vjetore ai ka deklaruar 26 mijë 785 euro prej pagës dhe mëditjeve nga Kuvendi i Kosovës dhe 3 mijë e 221 euro mëditje zyrtare nga Kuvendi po ashtu.