Kinës i bie numri i popullsisë për të tretin vit me radhë

Popullsia e Kinës ka rënë për të tretin vit me radhë më 2024, me numrin e vdekjeve që po ia marrin anën atyre të lindjeve dhe ekspertët druajnë se trendi mund të thellohet edhe më shumë në vitet e ardhshme – ka raportuar të premten, më 17.01.2025, Agjencia e lajmeve Reuters.

Zyra Kombëtare e Statistikave ka bërë të ditur se numri i përgjithshëm i banorëve në Kinë ka shënuar rënie prej 1.39 milion banorësh. Në vitin 2023 Kina numëronte 1 miliard e 409 milionë banorë, ndërkaq në vitin 2024 numri ka rënë në 1 miliard e 408 milionë banorë.

Të dhënat e së premtes, më 17.01.2025, kanë fuqizuar shqetësimet se ekonomia e dytë më e madhe në botë do të ketë telashe, meqë pritet të bjerë numri i punëtorëve dhe konsumatorëve. Çmimet e ngritura për kujdesin e pleqve dhe përfitimet pensionale pritet t’ia shtrëngojnë edhe më fort rripin ekonomisë kineze, derisa Qeveria edhe ashtu po përballet me borxhe të qeverive lokale.

Numri i përgjithshëm i lindjeve i Kinës ishte 9 milionë e 54 mijë, krahasuar me 9 milionë e 20 mijë më 2023. Numri i lindjeve është rritur në 6.77 për njëmijë banorë më 2024, krahasuar me 6.39 për njëmijë banorë më 2023.

Numri i vdekjeve më 2024 ishte 10 milionë e 930 mijë, krahasuar me 11 milionë e 100 mijë më 2023.

Shkalla e lindjeve e Kinës ka shënuar rënie për dekada me radhë, si rezultat i politikës një çift-një fëmijë – zbatuar nga viti 1980 deri më 2015, por edhe si pasojë e urbanizimit.

Qysh ka ndodhur edhe në Japoninë dhe Korenë e Jugut fqinje, edhe në Kinë është rritur numri i atyre që po zhvendosen nga fshatrat në qytete, ku kushtet e jetesës janë më të shtrenjta.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com