Kina zëvendëson Rusinë si investitori më i madh në Mal të Zi

Banka Qendrore e Malit të Zi njoftoi se Kina investoi 70 milionë euro në vend në gjysmën e parë të vitit 2020, kryesisht në kompani malazeze dhe pasuri të paluajtshme.

 

Kina është bërë investitori më i madh në Malin e Zi me 70 milionë euro në investime të drejtpërdrejta në gjysmën e parë të këtij viti, sipas një raporti të Bankës Qendrore të Malit të Zi botuar nga gazeta Vijesti të martën.

“Investimet kineze përfshinin investime në kompani në Mal të Zi ose blerjen e tyre, blerjen e pasurive të patundshme dhe borxhe që kompani nga Mali i Zi kanë marrë nga kompani nga Kina”, thuhej në raport.

Kjo është hera e parë që Kina përmendet në raportin vjetor të Bankës Qendrore si një investitor i madh i huaj. Në vitin 2018 dhe 2019, ajo nuk u përmend ndër 50 vendet e para që investonin para në vend.

Investimet kineze klasifikohen si konfidenciale në raport.

Megjithatë, dihet se korporata “China Road and Bridge”, CRBC, po ndërton pjesën e parë të autostradës Bar-Boljare, e mbuluar nga një hua prej 944 milionë dollarësh nga Exim Bank e Kinës.

Në qershor 2020, Mali i Zi nënshkroi gjithashtu një kontratë me vlerë 54 milionë euro me konsorciumin kinezo-malazez DEC International-Bemax-BB Solar-Permonte për rindërtimin e termocentralit Plevlja.

Sipas raportit të Bankës Qendrore, nga janari në gusht, investimi i përgjithshëm i huaj arriti në 468 milionë euro, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ishte 515 milionë euro.

Me 43.3 milionë euro të investuara, Italia ishte e dyta më e rëndësishme për sa i përket investimeve të huaja direkte. Sipas raportit të Bankës Qendrore, 7.9 milionë euro u investuan përmes huave nga kompani italiane, ndërsa 35.4 milionë euro të mbetura ishin investime në kompani dhe banka malazeze, si edhe blerje pasurish të patundshme.

Rusia ishte investitori më i madh në Malin e Zi vitin e kaluar, por tani ajo është në vendin e tretë me 42.5 milionë euro të investuara. Banka Qendrore tha se 15 milionë euro nga këto ishin hua nga kompani ruse, ndërsa 14.4 milionë euro ishin investuar në pasuri të paluajtshme.

13 milionë euro të mbetura nga Rusia janë investime në kompani dhe banka malazeze dhe kthime kapitali, por detajet e këtyre janë deklaruar konfidenciale.

Investitori i katërt më i madh në Mal të Zi ishte Zvicra me 37.3 milionë euro, kryesisht në huazime nga kompanitë zvicerane, ndërsa SHBA-ja investoi 21.5 milionë euro.