Kina u kërkon Universiteteve t’u ofrojnë studentëve “edukim dashurie”
Kina po i inkurajon Kolegjet dhe Universitetet që të ofrojnë “edukim dashurie”, në mënyrë që të spikasin pikëpamjet pozitive për martesën, dashurinë, fertilitetin e familjen – në një përpjekje për ta fuqizuar shkallën në rënie të lindjeve në vend – ka raportuar më 04.12.2024 agjencia e lajmeve, Reuters.
Pekini ka nisur më herët promovimin e masave të ndryshme, duke u munduar që ta bëjë më atraktive lindjen e fëmijëve për prindërit e rinj – pasi Kina për të dytin vit me radhë ka shënuar rënie popullsie më 2023.
Kina është vendi i dytë më i madh me numrin e popullsisë në botë, me 1.4 miliard banorë. Por, popullsia po i plaket shpejt, duke rritur kërkesat ndaj Qeverisë për shpenzime në të ardhmen e duke rritur presionin ndaj ekonomisë.
Studentët e Kolegjeve do të jenë shtytësi më i madh i fertilitetit, por ata kanë ndryshuar rrënjësisht pikëpamjet për martesën e dashurinë – ka shkruar grupi mediatik “Jiangsu Xinhua”, duke iu referuar “Population News”, një publikim zyrtar i qeverisë komuniste.
“Kolegjet dhe Universitetet duhet të marrin përgjegjësinë e ofrimit të edukimit për martesën e dashurinë para studentëve, duke iu ofruar kurse të edukimit të martesës e dashurisë” – shtohet në shkrimin e gazetës së këtij organi shtetëror.
Masat do të ndihmonin krijimin e “atmosferës kulturore pozitive dhe të shëndetshme të lindjes së fëmijëve e martesës”.
Rreth 57% e studentëve të anketuar prej “China Population Ness” kanë thënë se nuk duan të bien në dashuri, kryesisht për shkak se nuk dinë sesi të mbajnë baraspeshën e lidhjes ndërmjet studimit e dashurisë.
Për shkak të mungesës “së edukimit shkencor e sistematik për martesën dhe dashurinë, studentët kanë njohje të vakët të lidhjeve emocionale”.
Studentët do të mund të mësoheshin nëpërmjet “analizimit të rasteve, diskutimeve në grup për mirëmbajtjen e lidhjeve intime dhe komunikimit ndërmjet gjinive”.
Lëndët do të mund t’i ndihmonin që të “përmirësojnë aftësinë e tyre për ta kuptuar korrektësisht martesën e dashurinë dhe për të menaxhuar lidhjet e tyre dashurore”.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com