Kina shton investimet në Ballkan duke i paraqitur me më pak kushte se BE-ja

Investimet kineze përbëjnë një pjesë relativisht të vogël të investimeve të huaja në Ballkanin perëndimor, krahasuar me ato në Bashkimin Evropian. Por, vëzhguesit thonë se ka shqetësim në rritje për shtrirjen e influencës kineze e mbështetur nga miliarda dollarë, që Pekini ka investuar në rajon që nga viti 2005.

Të tjerë thonë megjithatë, se influenca rajonale e Kinës është e mbivlerësuar.

Vlerësimet financiare variojnë. Instituti për Studimet Strategjike, me seli në Londër, thotë se që nga viti 2011, Kina ka investuar mesatarisht në rajon rreth 1 miliard dollarë çdo vit. Ndërsa Instituti Amerikan i Sipërmarrjes vlerëson se pothuajse e njëjta shumë vjetore është investuar në rajon që nga viti 2005. Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, me seli në Uashington, e përllogarit shumën në pothuajse 1.8 miliard dollarë në vit, që nga viti 2012.

Ekspertët megjithatë bien dakord se Serbia merr 80% të investimeve kineze në Ballkanin Perëndimor.

Megjithëse investimet kineze përbëjnë rreth 1% të investimeve të huaja në Serbi, ndërkohë që investimet nga BE-ja janë në 70%, një anketim i qershorit 2020 nga Instituti Ndërkombëtar Republikan konstatoi se 71% e serbëve e konsiderojnë Kinën ndër partnerët më të rëndësishëm ekonomikë të rajonit.

Shqetësimi i ekspertëve rajonalë

Gjatë një konference rishtazi në Beograd për influencën kineze në rajon, disa ekspertë thanë se favorizimi në opinionin publik i investimeve të Pekinit, përkundër investimeve nga Evropa Perëndimore, orkestrohet politikisht.

“Një pjesë e mirë e mbështetjes për Kinën vjen nga elitat politike serbe dhe nga mediat, të cilat kontrollohen direkt ose indirekt nga elita serbe”, thotë Vuk Vuksanovic, ekspert për Kinën, BE-në dhe Ballkanin Perëndimor në Qendrën e Beogradit për Politikat e Sigurisë. “Pra, në këtë këndvështrim, Kina nuk bëri ndonjë fushatë të tepruar për të krijuar imazhin e saj në Serbi, thjesht pasi nuk iu desh ta bënte. Kina ka qeverinë serbe që e realizon këtë gjë dhe vërtet perceptimi për Kinën është pozitiv në radhët e opinionit publik serb”.

Stefan Vladisavljev, nga Fondi i Beogradit për Arritjet Politike tha se disa ligjvënës dhe zyrtarë në rajon preferojnë investimet kineze pasi Pekini vendos më pak detyrime për zyrtarët rajonalë dhe faktorët në terren.

“Kur Kina u afrohet vendeve, përgjithësisht vende në zhvillim, Kina ofron projekte infrastrukturore për të cilat shpesh është rënë dakort në një mënyrë jo transparente… Ato shoqërohen nga kushte të pakta, dhe kjo është tërheqëse”, thotë zoti Vladisavljev, duke përmendur se BE-ja ka udhëzime për investimet ku kërkohet që qeveritë rajonale dhe bizneset të provojnë se janë në përputhje me standartet e BE-së.

“Nëse dikush nuk ju bën presion politikisht që të bëni reforma, të respektoni konkurrencën apo shtetin ligjor, ju do të ishit shumë të lumtur të zbatonit projekte të tilla”, thotë Vladisavljev.

Zyrtarët në ambasadën kineze në Beograd nuk iu përgjigjën kërkesave të shumta për të komentuar.

Gjatë 20 viteve, shton zoti Vladisavljev, përllogaritet se Serbia ka akumuluar rreth 7.9 miliardë dollarë borxh ndaj Kinës. Ai thotë se përpara se të shtojë borxhin ndaj Kinës, Serbia duhet të sigurohet se ekzistojnë masa mbrojtëse për punëtorët serbë. Ai përmend akuzat për praktika shfrytëzuese pune në kompaninë kineze të prodhimit të gomave Shandong Linglong Tire Co., e vendosur në Zrenjanin, rreth 1 orë larg me makinë nga Beogradi, ku punëtorë emigrantë vietnamezë janë lënë pa paguar dhe kanë jetuar në barraka pa ngrohje.

“Për momentin po flasim për të drejtat e punëtorëve vietnamezë, dhe ndoshta nesër të vetë punëtorëve tanë serbë”, thotë Vladisavljev.

Kompania Linglong nuk iu përgjigj kërkesave të shumta për të komentuar rreth akuzave për praktika të dobëta pune, dhe po kështu nuk komentuan as zyrtarët në ambasadën kineze në Beograd.

Udhëheqësit serbë, si Kryeministrja Ana Brnabiç, kanë ulur peshën e ndodhive në fabrikën kineze të gomave, duke pretenduar se mbulimi negativ mediatik është organizuar nga ata që janë kundër investimeve kineze në Serbi, duke iu referuar kështu kritikave të shpeshta perëndimore se projektet kineze kanë konture të paqarta proceduriale, ngrenë pikëpyetje mjedisore dhe se janë të projektuara për të forcuar influencën politike të Pekinit në Evropë.

Në fillim, ishte mjedisi. Tani… përqëndrohen tek punonjësit atje. Pasnesër do jetë diçka tjetër”, cituan mediat të ketë thënë kryeministrja.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se një zyrtar serb i inspektoriatit të punës është dërguar në Zrenjanin, por deklaroi haptazi se çfarë mund të pritet nga inspektimi.

“Çfarë duan? Duan që ne të shkatërrojmë një investim 900 milionë dollarësh?”, pyeti zoti Vuçiç, duke përsëritur mbështetjen ndaj atyre që dëshirojnë investimet kineze duke thënë se stabilizojnë rajonin nëpërmjet krijimit të vendeve të punës.

Roli i Bashkimit Evropian

Deri vonë, përgjigja perëndimore ndaj influencës kineze në rajon ishte minimale. Vetëm rishtazi zyrtarët evropianë i konsideruan disa investime në Ballkanin perëndimor si pjesë të reagimit ndaj iniciativës kineze “Një brez një rrugë”. I tillë është një fond prej 46 miliardë dollarësh që do të investohet për teknologjinë dhe infrastrukturën në rajon.

Por, Igor Novakovic i Qendrës për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë, me seli në Beograd, thotë se fondet e BE-së janë shpesh më të vështira për t’u përfituar, krahasuar me ato kineze.

“Bazuar edhe tek bashkëpunimi i vjetër Serbi-Kinë, paraja u sigurua me shpejtësi dhe puna u krye me shpejtësi, por mbeten megjithatë pikëpyetjet për çmimin dhe aspektin negativ për mjedisin”, i tha ai Zërit të Amerikës. “Bashkëpunimi me BE-në është i ngadaltë, por rigoroz”.

Konsulenti ekonomik Jens Bastian thotë se Kina shpesh përqëndrohet tek projekte të infrastrukturës publike që janë refuzuar ose nuk janë realizuar nga faktorë të BE-së.

“Kina tërhiqet drejt Evropës juglindore për të investuar, për shkak se të tjerët nuk e kanë bërë këtë”, i tha Zërit të Amerikës zoti Bastian. “Pekini është strategjikisht i vendosur për të qëndruar në rajon për një kohë të gjatë”.

Konsulenti financiar malazez Milos Vukovic thotë se tronditja që i shkaktoi financave publike të Podgoricës një hua në kuadrin e iniciativës kineze “Një brez një rrugë”, një projekt 1 miliardë dollarësh që u prokurua pa tender dhe që ngriti borxhin kombëtar mbi prodhimin e brendshëm bruto, duhet të shërbejë si një paralajmërim i fortë për vendet fqinje të rrezikuara nga diplomacia kineze që u ngre një kurth nëpërmjet huave.

Nëse Mali i Zi dështon financiarisht, thaVukovic, pasuritë publike, si rrjeti elektrik i vendit ose portet industriale, mund të shndërrohen në kolateral për borxhet ndaj Kinës.

“Më vonë, nëse nuk mund të paguajmë … ata mund të thonë, ‘Ne do të marrim kompaninë shtetërore të energjisë [dhe] do të investojmë në burimet e rinovueshme të energjisë’,” i tha ai Zërit të Amerikës. “Pra, ata e zëvendësojnë projektin jofitimprurës për ta me një projekt fitimprurës – dhe ne e dimë se energjia është e ardhmja, veçanërisht burimet e rinovueshme”.

Ekonomisti i Universitetit të Beogradit, Ivan Vujacic, ish-ambasador i Serbisë në Shtetet e Bashkuara nga viti 2002 deri në 2009, tha se korrupsioni rajonal, veçanërisht elitat politike vendase që keqinterpretojnë qëllimisht kreditë kineze si investime, mbartin pjesë të fajit për projektet e financuara nga Kina që vënë në rrezik pasuritë shtetërore, të drejtat e punëtorëve, ose mjedisin.

“Unë supozoj se investimet [që Kina ka] përllogaritur, i sjellin përfitime dhe … se ata janë drejt arritjes së një rezultati [fitimprurës]”, tha zoti Vujacic, duke iu referuar blerjes së Kinës në vitin 2018 të një miniere bakri të mbingarkuar me borxhe, në Bor.

“Për sa i përket Serbisë, supozoj dhe shpresoj që studimet e fizibilitetit janë bërë siç duhet dhe do të japin rezultate”, tha ai. “Por ne nuk kemi garanci për këtë”./VoA