Ilustrim

Kina i përgjigjet SHBA-së me kundërtarifa - thotë se po e heton Google-in

Kina ka vendosur të martën, më 04.02.2025, tarifa ndaj mallrave amerikane si përgjigje ndaj tarifave të reja që Shtetet e Bashkuara i vendosën ndaj mallrave kineze ditë më parë – duke e ripërtërirë luftën tregtare mes dy ekonomive kryesore në botë.

Pekini njoftoi gjithashtu se po e kryen një hetim ndaj Kompanisë Google.

Tarifat shtesë prej 10% ndaj të gjitha importeve nga Kina në SHBA hynë në fuqi të hënën pas mesnatës, më 03.02.2025, pasi presidenti amerikan Donald Trump vazhdimisht e paralajmëroi Pekinin se nuk po bënte mjaftueshëm për ta ndalur rrjedhën e drogave të jashtëligjshme në Shtetet e Bashkuara.

Nuk vonoi shumë dhe Ministria e Financave e Kinës njoftoi se do të vendosë taksë prej 15% ndaj thëngjillit dhe gazit të lëngshëm natyror të SHBA-së, si dhe 10% taksë ndaj naftës së papërpunuar, pajisjeve bujqësore dhe disa automjeteve amerikane.

Tarifat e reja ndaj mallrave amerikane do të hyjnë në fuqi më 10.02.2025 – tha Ministria kineze.

“Rritja e njëanshme e tarifave nga SHBA-ja shkel seriozisht rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë.” – thuhet në komunikatën e lëshuar nga Ministria e Financave e Kinës. “Kjo, jo vetëm që nuk ndihmon në zgjidhjen e problemeve të saj, por gjithashtu dëmton bashkëpunimin normal ekonomik dhe tregtar midis Kinës dhe SHBA-së”.

Ndërkohë, Administrata Shtetërore e Kinës për Rregullimin e Tregut tha të martën, më 04.02.2025, se po e heton Google-in për dyshime mbi shkeljen e ligjeve antitrust.

Në anën tjetër, tarifat e SHBA-së për mallrat nga Kanadaja dhe Meksika gjithashtu pritej të hynin në fuqi të martën, por Trump u pajtua ta shtyjë për 30 ditë Vendimin, pasi këto dy vende ndërmorën veprime për t’i adresuar shqetësimet e tij mbi sigurinë kufitare dhe trafikimin e drogës.

Trump synon të bisedojë me presidentin e Kinës, Xi Jinping, në ditët në vijim.

Përveç tarifave, Kina njoftoi gjithashtu se do të vendosë kontrolle ndaj eksportit të disa elementeve jetike për prodhimin e produkteve moderne të teknologjisë së lartë. Këto përfshijnë: tungstenin, telurin, bismutin, molibdenin dhe indiumin. Shumica e këtyre elementeve janë cilësuar si minerale jetike nga Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së, që do të thotë se janë thelbësore për ekonominë ose sigurinë kombëtare të SHBA-së.

Kina kishte vendosur në dhjetor kontrolle edhe për elemente kyçe: siç është galiumi, i cili përdoret në prodhim.

Ministria e Financave vendosi gjithashtu dy Kompani amerikane në Listën e entiteteve të pasigurta: PVH Group, e cila është pronare e Calvin Klein dhe Tommy Hilfiger dhe Illumina – një Kompani bioteknologjike me zyrë në Kinë.

Përfshirja në këtë Listë ua ndalon atyre të angazhohen në aktivitete të lidhura me importin ose eksportin në Kinë, si dhe të bëjnë investime të reja në vend./REL