Kina e bën prioritet edukimin fizik në shkolla shkaku i obezitetit

Kina synon të forcojë edukimin fizik në shkolla, duke e kthyer në thelb të kurrikulës dhe jo një lëndë të dorës së dytë, kanë deklaruar autoritetet ndërsa po shtyjnë përpara një “edukim më dashamirës” pas shqetësimeve në rritje për rritjen e obezitetit te fëmijët – raporton të martën, më 28.01.2025, Agjencia e lajmeve Reuters.

Shkollat ​​fillore dhe të mesme duhet të sigurojnë që mësuesit e Edukimit fizik të trajtohen “njësoj si kolegët e tyre në lëndë të tilla si: Gjuha kineze, Matematika dhe Anglishtja dhe të intensifikojnë përpjekjet për zhvillimin e sporteve kryesore si: futbolli, basketbolli dhe volejbolli.” – ka raportuar Agjencia zyrtare e lajmeve Xinhua, duke cituar Ministrinë kineze të Arsimit.

“Këto masa janë pjesë e shtytjes më të madhe për një qasje më dashamirëse ndaj arsimit, duke integruar aftësinë fizike me zhvillimin akademik për të kultivuar nxënës të shëndetshëm të cilët janë të përgatitur për të ardhmen.” – vlerëson Ministria e Arsimit e Kinës.

Masat po merren pasi Kina nxori planin e saj të parë kombëtar në janar për ndërtimin e një “kombi të fortë arsimor” deri në vitin 2035. Politikat përfshinin detyrimin e nxënësve të Shkollave fillore dhe të mesme që të kenë të paktën dy orë aktivitet fizik në ditë, për të kontrolluar në mënyrë efektive miopinë (shkurtpamësinë) dhe normat e obezitetit.

Në mesin e vitit 2022 kishte mungesë mbarëkombëtare prej rreth 120.000 mësuesve të Edukimit fizik, me zonat rurale më të prekura – raportoi Xinhua, duke shtuar se masat e reja do të inkurajonin rekrutimin e sportistëve në pension dhe veteranëve ushtarakë për të ndihmuar për mbushjen e këtij hendeku.

Mësuesit e Edukimit fizik do të marrin kompensim të barabartë me kolegët e tyre në lëndë të tjera, me rregullime të pagave të bazuara në performancë për detyrat sportive pas shkollës dhe stërvitjen e ekipit – ka raportuar Xinhua.

Obeziteti i të rinjve është përshpejtuar që nga viti 2019 për shkak të uljes së aktivitetit fizik gjatë izolimeve për COVID dhe rritjes së numrit të porosive online të ushqimeve të padëshiruara.

Mjekët presin që obeziteti të rritet gjatë 10-12 vjetëve të ardhshme pasi ekonomia ngadalësohet dhe vuan ndryshime strukturore që çojnë në zakone të këqija të të ngrënit dhe më pak aktivitet fizik.

Përqindja e djemve obezë në Kinë u rrit në 15.2% më 2022, nga 1.3% më 1990. Pas Shteteve të Bashkuara me 22%, por më e lartë se Japonia me 6%, Britania dhe Kanadaja me 12% dhe India 4%. Obeziteti te vajzat u rrit në 7.7% më 2022, nga 0.6% në 1990.

“Obeziteti është kthyer në çështje kryesore të shëndetit publik në Kinë, duke u renditur si faktori i gjashtë kryesor i rrezikut për vdekjen dhe paaftësinë në vend.” – ka vlerësuar në tetor Komisioni Kombëtar i Shëndetit i Kinës.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com