Kina do t’i monitorojë në kufi njerëzit e mallrat për linë e majmunëve

Kina do t’i monitorojë njerëzit dhe mallrat që hyjnë në vend për linë e majmunëve gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, thuhet në një komunikatë të Administratës së Doganave kineze, pasi OBSH-ja e shpalli virusin përsëri emergjencë shëndetësore botërore.

Reuters raporton se në komunikatën kineze thuhet se “personeli nga vendet me shpërthime lie majmunësh, të cilët kanë qenë një kontakt me raste lie majmunësh – e njohur si mpox – ose me simptoma të manifestuara, duhet të marrin nismën të deklarojnë veten te Doganat”.

Mjetet transportuese, kontejnerët dhe mallrat nga rajonet me linë e majmunëve duhet të përdorin mjete sanitarie, shtohet në komunikatë.

OBSH-ja e ka shpallur të mërkurën (14.08.2024) linë e majmunëve emergjencë botërore të shëndetit publik për të dytën herë brenda dy vitesh pas shpërthimit të ri në Republikën Demokratike të Kongos, prej nga ka nisur të përhapet edhe në vendet fqinje.

Tashmë edhe Suedia e ka raportuar rastin e parë, duke bërë të ditur se një person që kishte qëndruar në Afrikë, ka kërkuar ndihmë në Stokholm.

Komisioni Qendror i Shëndetësisë i Kinës bëri të ditur vjet se lija e majmunëve do të menaxhohej si sëmundje ngjitëse e kategorisë B, duke iu kërkuar zyrtarëve të emergjencave të merrnin masa, si kufizimi i tubimeve, ndërprerjen e mësimit dhe punës, ose rrethimin e zonave ku ende ka përhapje të sëmundjes ngjitëse.

Sëmundja bartet kryesisht nëpërmjet marrëdhënieve seksuale – sidomos ndërmjet meshkujve – dhe kontaktit të ngushtë. Kategoria B e sëmundjeve ngjitëse përfshinë COVID-19, AIDS dhe SARS. Zakonisht shenjat janë të buta dhe të rralla janë rastet me fatalitet. Shkakton simptoma të ngjashme me të gripit dhe me lezione në trup.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com