Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kilaj: Do t’i bëjmë me GPS të gjitha ekipet mjekësore që do të japin shërbime në shtëpi 

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për Malishevën, Isni Kilaj, ka thënë se do të krijojë ekipe mobile që do t’i lusin qytetarët për t’u vaksinuar.

Po ashtu Kilaj ka thënë se do të bëjë me GPS të gjitha ekipet mobile që do të japin shërbime në shtëpi për qytetarët e Malishevës.

“U kam premtuar qytetarëve që në muajin e parë do të ketë ekipe mobile për t’i takuar qytetarët për t’i lutur qytetarët për vaksinim. Do ta bëjmë edhe shërbimin që qytetarët me shku në shtëpi me dhanë shërbime. Ne do ta bëjmë ekip të komunës dhe do të përpiqem që të kenë GPS dhe do të digjitalizohet i gjithë rrjeti i fshatrave dhe familjeve që shërbimet me shku në adresë në kohën më të shkurtër të mundshme”, ka thënë Kilaj.

Në emisionin “DebatPernime” pjesëmarrës është vetëm kandidati Isni Kilaj nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

I ftuar në debat ka qenë edhe kundërkandidati i tij, Ekrem Kastrati nga Nisma Socialdemokrate, por i njëjti nuk ka ardhur në debat.

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve, kandidati i Nismës për kryetar të Malishevës Ekrem Kastrati ka marrë 34.08 për qind të votave, kurse Isni Kilaj nga PDK, ka marrë 28.82 për qind.

Debati po transmetohet nga ora 21:10 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.