
Ministri Sveçla arrin në pikën kufitare në Jarinjë. FOTO: Edona Podvorica/RTK
Kidnapimi i tre policëve, Xhelal Sveçla shkon në pikën kufitare në Jarinjë
Minsitri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka shkuar në pikën kufitare në Jarinjë pas rastit të rrëmbimit të tre policëve të Kosovës nga njësitë speciale të Policisë së Serbisë.
Po ashtu, Sveçla ka reaguar edhe në Facebook në lidhje me këtë rast.
“Përderisa rendi dhe ligji po zbatohet në vendin tonë, Serbia kriminale ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka kidnapuar 3 zyrtarë policorë të Republikës së Kosovës, në shkelje të çdo marrëveshje e kundër çdo parimi të normave ndërkombëtare” – ka thënë Sveçla në postimin e tij në Facebook.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, po pretendon se tre zyrtarët policorë që dyshohet se u kidnapuan nga policia serbe u gjetën në jugperëndim të Serbisë, rreth 10 kilometra nga kufiri me Kosovën.
Ai tha se pjesëtarët e policisë serbe nuk e kanë shkelur territorin e Kosovës dhe as rezolutën 1244.
Sipas tij, Serbia është e gatshme të ofrojë të gjitha provat dhe kërkoi hapjen e një hetimi ndërkombëtar, nëse është e nevojshme.
Mirëpo, Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani i ka quajtur të rrejshme deklarimet e drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq lidhur me këtë çështje.
“Ata janë zyrtarë kufitarë patrullues dhe nuk janë zyrtarë të njësiteve speciale, pra është një deklarim i rrejshëm i palës serbe. Ata janë tre zyrtarë policorë të moshës së shtyrë rreth 50 vjeçar apo edhe mbi. Që kanë shërbyer për vite me radhë në Policisë e Kosovës”- ka thënë ai.
Kelani ka deklaruar se policët e kidnapuar janë të moshës rreth 50 vjeç apo mbi.
Kelani ka thënë se janë të bindur që pjesa ku janë gjendur policët është thellë brenda territorit të Kosovës.
“Është brenda në territorin e Kosovës dhe për të hetuar kemi dërgu njësitë tona, kemi njoftu mekanizmat ndërkombëtarë, KFOR-in që është përgjegjës për zonën kufitare, që të kryejmë detyrat bashkërisht. Është territor që mbulohet me zyrtarë policorë patrullës por sipas nevojës edhe me zyrtarë shtesë”- ka thënë ai.