Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kica - Xhelili: Unë jam në LDK, sepse LDK është reformuar

Anëtarja më e re e Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputetja Doarsa Kica – Xhelili në një intervistë dhënë për Televizionin Klan Kosova ka folur për kalimin e saj nga “Lista Guxo” për në LDK.

Kica Xhelili tha enjten në mbrëmje se për të, “Lista Guxo nuk ishte më platforma që mund ta shihte vlerën e shtuar në kuptim të vizionit”

Ajo tha se nuk e kuptonte cili është vizioni, sepse sipas saj njëra nga format që prezantonin vetveten ishte se ishin “Rugovistët”, “LDK-istët” e vërtetë.

“Nuk është që kam menduar që nuk ka vizion, por jam mundu ta kuptoj atë vizion. Unë e kam gjet vetën në takime me anëtarë dhe strukturë të Guxo ku është përmendur fakti që disi Guxo janë në fakt LDK-ja e vërtetë, fryma e vërtetë e LDK-së apo Rugovistët e vërtetë. Ne kemi pas kuvende zgjedhore, ku kjo ka qenë edhe një nga elementet e narratives”- tha Kica – Xhelili në një intervistë në KlanKosova.

Ajo tha se është ndier disi e përjashtuar nga ajo narrativë, pasi nuk ishte pjesë e strukturave të LDK-së.

“Guxo për mua rrugës nuk ishte më platforma që mund ta shihja vlerën e shtuar në kuptim të vizioni, pa dashur të flas për individ në veçanti, sepse nuk kuptoja cili është vizioni, sepse njëra nga format që prezantonim vetveten ishte se ishim Rugovistët, LDK-istët e vërtetë. Nuk paraqiste problem, unë sot jam në LDK sepse LDK ka pësuar reforma” – tha ajo.

Kica-Xhelili ka bërë të ditur se do të jap dorëheqje edhe nga Komisioni për Administratë Publike të cilin e kryeson.

Ajo shtoi se e ka ofruar zyrën e saj në Kuvendin e Kosovës.

“Kam pasur zyrën në Kuvend dhe kam ofruar edhe t’i kopjojë çelësat e zyrës që si Guxo të takohemi dhe si të qëndrojmë si iniciativë politike”- shtoi ajo.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dje e ka konfirmuar edhe zyrtarisht kalimin në LDK të deputetes, Doarsa Kica Xhelili, e cila ishte pjesë e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Abdixhiku konfirmon kalimin e Kica-Xhelilit në LDK