Khelif kërkon t’i jepet fund bullizimit të lidhur me gjininë
Boksierja olimpike, Imane Khelif, ka thënë se vala e fundit e urrejtjes me të cilën është përballur për shkak të keqkuptimeve për gjininë e saj ia kanë “lënduar dinjitetin njerëzor”, duke bërë njëherësh thirrje që t’i jepet fund bullizimit të atleteve pasi është prekur thellë pas reagime ndërkombëtare kundër saj.
Atletja algjeriane ka folur për përvojën e saj të trazuar olimpike të dielën mbrëma në një intevristë për SNTV, video-partner i agjencisë së lajmeve, AP.
“U bëj thirrje të gjithë njerëzve të botës mbarë të ruajnë parimet olimpime dhe Kartën Olimpike, të përmbahen prej bullizimi të gjithë atletëve, sepse kjo ka efekte, efekte masive”, ka thënë Khelif në arabisht. “Kjo mund t’i shkatërrojë njerëzit, mund t’i vrasë mendimet, shpirtin dhe mendjen e njerëzve. Kjo mund t’i përçajë njerëzit. Dhe për shkak të kësaj, u kërkoj që të përmbahen prej bullizimit”.
Fitoret e Khelifit dhe boksieres tajvaneze, Lin Yu-ting, në ring në Paris janë kthyer në një prej storieve më të mëdha të Lojërave të Parisit. Të dy gratë janë shumë afër arritjes së medaljeve olimpike, megjithëse janë përballur me abuzim online të bazuar në pretendime të pabaza për gjininë e tyre, duke i përfshirë në ndasinë e madhe lidhur me ndryshimin e sjelljes kundrejt identitetit gjinor dhe rregullave në sporte.
25-vjeçarja Khelif e ka pranuar se presioni dhe dhimbja e përjetuar gjatë garimit larg vendlindjes e kanë shoqëruar në aktivitetin më të madh të karrierës së saj.
Khelif premton “kundërpërgjigje të artë”
“Flas me familjen dy herë në javë. Shpresoj se ata nuk janë ndikuar thellësisht”, ka thënë ajo. “Ata janë të shqetësuar për mua. Dashtë Zoti, kjo krizë do të kulmojë me një medalje të artë dhe kjo do të ishte kundërpërgjigja më e mirë”.
Debati i madh ka buruar prej pretendimeve të pabazuara të Shoqatës Ndërkombëtare të Boksit, që është ndaluar përjetësisht nga Olimpiada, se Khelif dhe Lin dështuan në testet e paspecifikuara të përshtatshmërisë për kampionatin e vitit të kaluar të grave.
Khelif ka refuzuar të komentojë kur është pyetur nëse kishte kryer teste të tjera, pos atyre për doping, duke theksuar nuk dëshiron të flasë për to.
Ajo ka shprehur mirënjohje për Komitetin Ndërkombëtar Olimpik dhe shefin e tij, Thomas Bach, që i qëndruan në krah gjatë kohës kur ish-trupa e ndaluar e qeverisjes së boksit nxiti zemërim të madh lidhur me pjesëmarrjen e saj në Paris.
“E di se Komiteti Olimpik më ka dalë zot, dhe jam shumë e lumtur me këtë përmirësim sepse ka treguar të vërtetën”, është shprehur ajo.
Ajo ka marrë përkrahje të madhe edhe prej mbështetësve të saj, duke u duartrokitur saherë hyn në sallë. Njëherësh valojnë flamujt algjerianë derisa turma brohoret emrin e saj. Ajo do të garojë përsëri të martën në gjysmëfinale në peshën 66 kilogram në “Roland Garros”.
Larg komenteve të mediave sociale
Khelif vazhdimisht e ka bërë të qartë se nuk do të lejojë që thashethemet dhe akuzat t’ia davarisin ëndrrën për ta fituar medaljen e parë të artë olimpike në boksin e grave.
“Nuk më bën fare opinioni i të tjerëve”, ka thënë Khelif një ditë pasi mposhti Anna Luca Hamorin e Hungarisë. “Kam ardhur këtu për medalje dhe për të garuar për një medalje. Do të garoj padyshim që të përmirësohem dhe të bëhem më e mirë, dhe dashtë Zoti, do të përmirësohem, si çdo atlet tjetër”.
Megjithëse është e vetëdijshme për diskutimin botëror për të, Khelif thotë se disi vetëm sa i kanë dhënë më shumë zemër.
“Sinqerisht, nuk i përcjell mediat sociale”, ka thënë ajo. “Ka një ekip të shëndetit mendor që nuk më lejon të përcjell mediat sociale, sidomos në Lojëra Olimpike, as mua e as atletët e tjerë. Këtu jam për të garuar dhe për të fituar një medalje të mirë”.
Khelif e nisi olimpiadën të enjten e kaluar me fitoren ndaj Angela Carinit të Italisë, e cila u tërhoq pas vetëm 46 sekondash. Carini më vonë tha se i erdhi keq për vendimin dhe i kërkoi falje Khelifit.
Fundi i pazakonshëm ngriti shumë dyshime rreth Khelifit, duke nxitur komente prej figurave të famshme, si ish-presidenti amerikan, Donald Trump dhe autorja e “Harry Potterit”, J.K. Rowling e të tjerë që pretenduan rrejshëm se Khelif ishte burrë ose transgjinore./AP