KGJK vendos për dy ankesat disiplinore ndaj gjyqtarëve

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka trajtuar dy ankesat e iniciuara ndaj dy gjyqtarëve të Gjykatës së Prishtinës për shkelje disiplinore.

Njëra ankesë ishte e drejtuar kundër gjyqtares Naime Krasniqi – Jashanica kurse tjetra kundër gjyqtarit Adnan Isufi.

Të dy këto ankesa, pasi u trajtuan dhe analizuan nga paneli hetimor i KGJK, u vlerësuan se gjyqtarët në fjalë nuk kishin bërë shkelje disiplinore.

Sipas ankesës Naime Krasniqi – Jashanica dyshohej se kishte kryer shkelje disiplinore në momentin kur kishte shtyrë mbajtjen e seancës së shqyrtimit gjyqësor, ndërsa gjyqtari Adnan Isufi pretendohej se nuk kishte qenë i paanshëm kur kishte trajtuar një rast në procedurë.

Sipas vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, gjyqtari Adnan Isufi nuk është përgjegjës për shkeljen disiplinore të përcaktuar nga neni 5, paragrafi 2, nën paragrafi 2.2 dhe 2.15, të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

Paneli hetimor i ka paraqitur Këshillit Gjyqësor të Kosovës raportin mbi hetimin e bërë Iidhur me shkeljen disiplinore të pretenduar të gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë Adnan Isufi.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës pas administrimit të provave, vlerësoi se nuk qëndron pretendimi i Autoritetit Kompetent se, gjyqtari Isufi në seancën e përmendur ka bërë shkelje disiplinore.

Njëjtë është vendosur edhe për rastin e gjyqtares Naime Krasniqi – Jashanica.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka trajtuar rastin dhe ka vlerësuar duke u bazuar  në provat e siguruara se nuk qëndrojnë pretendimet e Autoritetit Kompetent se gjyqtarja në fjalë ka bërë shkelje disiplinore me rastin e shtyrjes së seancës.

Kështu, gjyqtarja Naime Krasniqi – Jashanica në këtë rast konkret nuk është përgjegjëse për shkeljet disiplinore të pretenduara nga Autoriteti Kompetent.