KGjK: Vendimi për suspendimin e gjyqtares Stevantoviq është marrë pa asnjë ndikim politik

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), njofton se vendimi për suspendimin e kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviq, është marrë pa asnjë ndikim politik.

“Vendimi në fjalë është marrë pa asnjë ndikim politik, prandaj me këtë rast, KGJK u bënë thirrje institucioneve dhe zyrtarëve publik të institucioneve tjera të përmbahen nga deklaratat për vendimet e KGJK-së, pasi çfarëdo deklarimi publik nuk i kontribuon pavarësisë së gjyqësorit, si pushtet i pavarur”, thuhet në komunikatën e KGjK-së.

KGjK njofton se vendimi  per suspendimin e Stevantoviq është marrë në kuadër të përgjegjesive kushtetuese dhe ligjore që ka KGjK.

“Vendimi për suspendimin e Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, është marrë në kuadër të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore që ka KGJK-ja, dhe nuk paragjykon përfundimin e procedurës në raport me gjyqtaren, znj .Stevanović”, njofton KGjK.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), njofton opinionit publikë, se në mbledhjen e 281-të ka vendosur për suspendimin e Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, nga pozita e saj si kryetare. Ky Vendim është marrë sipas kërkesës së Autoritetit Kompetent për Kryetar të Gjykatave, në përputhje me Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Ligjin për Gjykatat, Ligjin për KGJK, Kodin e Etikës dhe Rregulloren për Procedurën Disiplinore të Gjyqtarëve”, thuhet tutje në njoftim.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) dje ka suspenduar kryetaren e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Liljana Stevanoviq, deri në një vendim të radhës.

“Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me dy (2) pika të mbyllura për: shqyrtimin e njoftimit AGJ.nr.93/2022 të Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë si dhe themelimin e panelit hetimor për rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/07/2022/GJTHPR-AD/GJTHPR.nr.12/2022, me ç’rast vendosi për suspendim të Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, L.S, deri në vendimin e rradhës”, ishte thënë në njoftim.

Ndërsa, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dje reagoi pasi Këshilli Gjyqësor suspendoi kryetaren e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Lilana Stevanoviq, pasi kishte qenë e pranishëm në një takim me presidentin serb.

Vuçiq kishte thënë në mes tjerash se gjykatësja Stevanoviq “është suspenduar me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti”.

Por, sot, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka reaguar presidentit serb. Ai, përmes një postimi në Tëitter, tha se Kosova është shtet demokratik dhe ai nuk është kryetar i KGJK-së.

Gjatë reagimit të djeshëm, presidenti i Serbisë po ashtu tha se “të gjithë komandantët dhe policët serbë” që morën pjesë në një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, që u mbajt në Beograd më 22 mars, do të shkarkohen.

Por, një gjë e tillë të premten, deri më tani, nuk ndodhi.

Ndërsa, sot gjatë ditës, serbët lokal në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë protestuan duke kërkuar që të lejohet mbajtja e zgjedhjeve presidenciale dhe paralajmëtare të Serbisë në territorin e shtetit të Kosovës.