KGjK reagon ndaj deklaratave të Albulena Haxhiut: Po e dëmtojnë pavarësinë e sistemit gjyqësor

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), ka reaguar ndaj deklarimet e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për “grupe të fuqishme” dhe “pazare” brenda sistemit gjyqësor.

KGjK ka thënë se deklarimet e ministres Haxhiu, janë të pabazuara dhe e dëmtojnë rëndë pavarësinë e sistemit gjyqësor, e që sipas tyre, gjithashtu bien ndesh me ndarjen e pushteteve, e që këto deklarata konsiderohen ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e gjyqësorit.

“Bazuar në Kushtetutë e Ligj sistemi gjyqësor është institucion plotësisht i pavarur në ushtrimin e funksionit të tij dhe gëzon pavarësi organizative, administrative e financiare për realizimin e detyrave të përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj, prandaj respektimi i pavarësisë dhe punës së gjyqësorit është obligim për të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës. Zgjedhja në cilën do pozitë brenda sistemit gjyqësor nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, bëhet në mënyrë transparente dhe atë bazuar në Kushtetutë dhe ligji, në pajtim me parimet e meritës, mundësitë e barabarta, barazinë gjinore, mos diskriminimin dhe përfaqësimin e barabartë nën monitorimin e partnerëve ndërkombëtarë e vendor si dhe standardeve më të larta profesionale”, thuhet në reagimin e KGjK-së.