KGJK: Nga nesër gjykatat do të vazhdojnë punën me kapacitete të plota

Këshilli Gjyqësor i Kosovës njofton se në mbledhjen e mbajtur sot ka vendosur që nga data 3 dhjetor 2022, gjykatat do të vazhdojnë punën me kapacitete të plota.

Në njoftim është bërë e ditur se pezullimi i bashkëpunimit për iniciativat e përbashkëta mes KGJK-së dhe Qeverisë së Kosovës do të vazhdojë deri në një vendim tjetër

Gjithashtu në njoftim thuhet se Këshilli Gjyqësor dhe gjykatat do të marrin pjesë në komisionet dhe grupet e tjera ku pjesëmarrja përcaktohet me legjislacionin në fuqi.

“Mbetet në fuqi pika I e vendimit KGJK.nr.444/2022, me të cilin “Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Kryetarët e gjykatave, kërkojnë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që menjëherë të anuloj vendimin Nr. 03/109, të datës 23 nëntor 2022” – thuhet në njoftim.

Gjykata e Prishtinës sot ka vendosur që të pezullojë ekzekutimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Pas pranimit të padisë nga Shoqata e Prokurorëve kundër Qeverisë, Gjykata ka vendosur që të caktojë masën e sigurisë dhe të shtyjë ekzekutimin e këtij vendimi.

Gjykata ka aprovuar kërkesën e Shoqatës së Prokurorëve për caktim të masës së sigurisë si të pabazuar dhe me këtë vendim ka shtyrë ekzekutimin e vendimit të Qeverisë.

Në mbledhjen e 23 nëntorit, Qeveria e Kosovës mori vendim që t’ua ulë pagat prokurorëve dhe gjyqtarëve ashtu siç kanë qenë para vitit 2017 kur Qeveria Haradinaj kishte marrë vendim për rritjen e tyre.

Më 24 nëntor, Këshilli Gjyqësor i Kosovës mori vendim për pezullimin e punëve në gjykata.

Që nga pezullimi i punës janë anuluar dhe kanë dështuar qindra seanca gjyqësore në të gjitha gjykatat e Kosovës.