KGjK miraton planin e punës për vitin 2022

Në mbledhjen e 247-të të Këshillit Gjyqësor të Kosovës është miratuar plani vjetor i punës së KGjK-së për vitin 2022.

Plani vjetor i punës se KGjK-së për vitin 2022 është miratuar me të gjitha votat pro të anëtarëve të pranishëm, pa asnjë votë kundër apo abstenim.

Plani i punës së KGjK-së ka hyrë në fuqi menjëherë dhe këshilli e ka obliguar sekretariatin që të njëjtin ta publikoj në ueb-faqen e këshillit.

Ndër pikat e tjera të rendit të ditës që janë aprovuar kanë qenë edhe draft rregulloret për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës si dhe organogramit të Gjykatave Themelore, Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme.

Ndër risitë të cilat pritet që të sjellin rregulloret për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës si dhe organogramit të Gjykatave është edhe krijimi i zyrave të veçanta për informim dhe komunikim me publikun.

Gjatë diskutimit lidhur me këto pika u tha se krijimi i zyrave të veçanta për informim dhe komunikim me publikun është i nevojshëm për t’i kontribuar transparencës dhe llogaridhënies në raport me qytetarët.

Kujtojmë se BIRN në komentet drejtuar KGjK-së, i ka kërkuar këshillit që me rregulloret për strukturën e brendshme organizative të Gjykatave të përcaktoj krijimin e zyrave të veçanta për informim dhe komunikim me publikun si mënyrë për fuqizimin e parimit të publicitetit dhe transparencës në punën e  sistemit gjyqësor dhe ngritjes së besimit të qytetarëve ndaj gjykatave dhe sistemit gjyqësor në përgjithësi.