Foto: KALLXO.com
KGJK i shqipton edhe një masë disiplinore gjyqtarit Veli Kryeziu lidhur me komunikimin e tij me praktikanten e Gjykatës
Gjyqtarit të Gjilanit, Veliu Kryeziut, i është shqiptuar masa e zvogëlimit të rrogës për 30% për 6 muaj.
Këtë vendim e ka marrë Këshilli Gjyqësor i Kosovës më 29.03.2024, lidhur me rastin ku gjyqtari kishte komunikuar me praktikanten e Gjykatës së Gjilanit.
E.S. e kishte raportuar gjyqtarin se është duke e shqetësuar, duke i shkruar në Viber dhe i kishte dërguar foto për ta pyetur për disa çanta.
Sipas shkresës për inicimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtarit, e cila ishte dorëzuar në Këshill më 24.10.2023, Kryeziu kishte kërkuar nga praktikantja që të krijojë lidhje dashurie me djalin e tij.
Sipas vendimit të Këshillit, ankuesja ka qenë praktikante për rreth dy muaj në zyrën e Kryeziut, gjë të cilën nuk e kishte mohuar në Këshill Gjyqësor as vetë gjyqtari.
Kryeziu nuk e kishte mohuar edhe faktin se e ka thirrur për kafe e drekë disa herë pasi që kishte dëshirë për ta bërë nuse të djalit të tij.
Lidhur me këto pretendime të ankueses ishte krijuar paneli hetimor më 31.10.2023, i cili ka për detyrë që të vendosë lidhur me kërkesën e kryetarit të Gjykatës për inicimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtarit.
Këshilli kishte caktuar seancë dëgjimore ku ishte dëgjuar ankuesja E.S. dhe gjyqtari Kryeziu, i cili i kishte mohuar pretendimet e ankueses.
Në seancën dëgjimore të mbajtur më 29.03.2024, gjyqtari kishte pretenduar se edhe kjo kërkesë e cila është e treta me radhë nga E.S. do të jetë e pabazuar sikurse dy kërkesat e tjera që i kishte bërë ndaj tij.
Këshilli ka gjetur se E.S. në njërën nga kërkesat ishte tërhequr kurse në tjetrën në mungesë të provave ishte mbyllur.
Sipas Këshillit, gjyqtari Kryeziu nuk është dashur të përfshihet në këso sjellje qoftë në detyrë apo privatisht, sepse me këto sjellje sipas Këshillit dëmtohet reputacioni i Gjykatës.
“E posaçërisht në asnjë rrethanë nuk duhet të shfrytëzojë pozitën e tij gjyqësore, as t’i lejojë të tjerët që ta shfrytëzojë pozitën e tij për interesa private”- thuhet tutje në vendimin e KGJK-së.
Sipas vendimit të KGJK-së, gjyqtari është dashur të sillet me integritet si në jetën profesionale ashtu edhe në jetën personale.
Për gjyqtarin Veli Kryeziu nuk është hera e parë që i është shqiptuar masë disiplinore nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Kryeziut më 14.12.2022 i ishte shqiptuar vërejtje publike me shkrim.
“Me e pasë kërcënu me armë e kisha vra”- ishin fjalët që i kishte thënë gazetares së KALLXO.com gjyqtari Veli Kryeziu kur e kishim kontaktuar për të marrë një prononicim lidhur me rastin ku një qytetar e kishte denoncuar gjyqtarin për kanosje.
Në korrik të vitit të kaluar, KALLXO.com kishte raportuar se gjyqtari i Gjykatës së Gjilanit, Veli Kryeziu, dyshohej se kishte kërcënuar me armë një person.
Ngjarja kishte ndodhur më 28 maj ndërsa ishte mbajtur vetëm brenda organeve të rendit dhe të drejtësisë.
Kryeziu në një bisedë telefonike me KALLXO.com nuk kishte pranuar të ketë kërcënuar dikë, ani pse ndaj tij tashmë kishte nisur procedurë ligjore në prokurori.
“Nuk kam ide. Me e pasë kërcën me armë unë e kisha vra, (nuk kuptohet mirë gjatë bisedës) nuk bëj budallakia. Nuk jap koment, ditën e mirë!”- kishte thënë shkurt gjyqtari Kryeziu.