KQZ - Valmir Elezi - 19.05.2019

KGjK i kthen përgjigje KQZ-së rreth kandidatëve të dënuar nga Gjykatat

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri më tani ka pranuar përgjigjet nga: Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.

Valmir Elezi zëdhënës i KQZ-së përmes një konference ka njoftuar se të gjitha këto institucione janë përgjigjur në kërkesat që i kanë pasur prej tyre.

Elezi tha se këto institucione kanë kthyer përgjigje në kërkesën për konfirmim të përshtatshmërisë së kandidatëve me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

“Në përgjigjen që e kemi marrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, rezulton se 15 nga 28 subjektet politike që kanë aplikuar për certifikim kanë kandidatë të cilët nuk janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, germën q, e cila specifikon se kandidat për deputetë nuk mund të jetë një person i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit. Në përgjithësi, janë 47 kandidatë nga rreth 1 080, të cilët janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit”, tha Elezi.

Elezi shtoi se pas pranimit të këtyre përgjigjeve, Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim do të përgatit Rekomandimin për aprovimin apo refuzimin e certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre.

“Këto rekomandime do të paraqiten në mbledhje të KQZ-së. Sipas Planit Operacional të miratuar nga KQZ-ja, rekomandimet do të bëhen gati gjatë ditës së sotme dhe të nesërme, ndërsa KQZ-ja do të marrë vendim më së largu deri më 22 janar”, tha ai.

Elezi shtoi se do të njoftohen subjektet politike, secila prej tyre, për përgjigjet që kemi pranuar nga institucionet, në mënyrë që të mund të bëjnë plotësimin e listës me kandidatë të tjerë, në rast se ndonjë kandidat nuk i ka plotësuar kriteret ligjore.

“Në rast se ndonjë subjekt politik apo kandidat nuk ceritfikohet, ai mund të paraqesë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Çështja mund të shkojë deri në Gjykatën Supreme nëse pala mund të jetë e paknaqur me vendimin e PZAP-it”, shtoi ai.

Kjo periudhë e ankesave dhe e vendosjes sipas Elezit është paraparë të përmbyllet deri më 31 janar.

“Pas saj, më 1 shkurt, pason tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e këtyre zgjedhjeve”, tha ai.