Ilustrim - Mbledhja e 294 e KGjK-së

KGJK del me një propozim të përbashkët për MD, KPK, zyrën e Kryeprokurorit të shtetit për reformën në drejtësi

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka paraqitur lidhur me çështjen e reformës në drejtësi, propozim ky që i është adresuar Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

“Intensifikimi i reformës drejt avancimit dhe fuqizimit të mëtejmë të sundimit të ligjit është vënë në pah si nevojë imediate nga procesi i Rishikimit Funksional të Sundimit të Ligjit, Raporti i vendit i Komisionit të Bashkimit Evropian, Opinioni i Komisionit të Venecias si dhe raportet dhe vlerësimet tjera nga organizata vendore dhe ndërkombëtare”, është thënë në deklaratën e përbashkët të lëshuar nga KGJK.

Kjo deklaratë e propozuar nga KGJK përfshin themelimin e grupeve punuese për të fuqizuar kuadrin ligjor në disa pika si:

  • Vlerësimi i Performancës së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve;
  • Procesi i Rekrutimit, Emërimit dhe Riemërimit të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve;
  • Sistemi i Disiplinimit të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve;
  • Sistemi i Verifikimit të Profilit të Kandidatëve për Gjyqtarë dhe Prokurorë;
  • Zhvillimi Profesional i Gjyqtarëve dhe Prokurorëve;
  • Forcimi i Mekanizmave për Deklarim të Pasurisë për Gjyqtarë dhe Prokurorë
  • Statusi i Gjyqtarëve dhe Prokurorëve dhe
  • Zbatimi i Rekomandimeve nga Misioni i TAIEX për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Institucionet nënshkruese të kësaj deklarate, pa paragjykuar procesin e Komisionit Ad hoc të Kuvendit të Republikës së Kosovës, rreth amandamenteve Kushtetuese dhe Ligjit për Vetting (pasi që institucionet nënshkruese të kësaj deklarate kanë qëndrime të ndryshme rreth amandamenteve Kushtetuese), dhe në linjë me Opinionin e Komisionit të Venecias, respektivisht rekomandimin e Venecias “për hyrje në dialog të plotë me Këshillat” marrim këtë zotim për ta jetësuar këtë pako të reformës ligjore me qëllimin përfundimtar fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë” thotë tutje deklarata.

Deklarata thotë se institucionet e mandatuara të drejtësisë, pjesë e këtij zotimi për përbashkët, do të themelojnë grupe punuese të cilat bashkë kryesohen nga institucionet nënshkruese të kësaj deklaratë, ndërsa MD merr përsipër që këtë nismë të e adaptoj në programin e saj legjislativ.