Patrullimi i KFOR-it mbi Urën e Ibrit, Mitrovicë e Veriut më 14.08.2024. Foto: Florinda Kelmendi/KALLXO.com

KFOR: Vendimet për Urën e Ibrit duhet të merren në dialog dhe në koordinim me ndërkombëtarët

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë se çdo vendim rreth Urës së Ibrit duhet të merret përmes dialogut dhe koordinimit në kohë dhe efektiv me ndërkombëtarët.

“Për çështjen e hapjes së mundshme të urës së lumit Ibër në Mitrovicë për automjete, qëndrimi ynë ka qenë transparent dhe konsistent gjatë gjithë kohës. Çdo vendim në këtë drejtim duhet të merret përmes dialogut dhe në koordinim në kohë dhe efektiv me komunitetin ndërkombëtar” – thuhet në komunikatën e KFOR-it të lëshuar sot, më 10.09.2024.

KFOR ka thënë se do të vazhdojë të mbajë prezencën e tij fikse në urë dhe do të vazhdojë të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth.

Komunikata ka folur edhe për trajnimet që ushtarët e KFOR-it kanë kryer në urë.

“Së fundmi, disa aktivitete trajnuese janë kryer nga personeli i KFOR-it në urë. Këto ishin pjesë e aktiviteteve tona të rregullta të krijuara për të testuar procedurat operacionale afatgjatë dhe për të ruajtur standardin më të lartë të gatishmërisë së trupave tona” – thuhet në komunikatë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së sotme, më 10.09.2024, ka qëndruar në Mitrovicën e Veriut, ku edhe ka zhvilluar takim me kryetarin e kësaj Komune, Erden Atiq.

Nën masa të shtuara të sigurisë, Kurti ka kaluar këmbë mbi Urën e Ibrit dhe është përshëndetur edhe me ushtarët e KFOR-it.

Vizita e Kurtit te Ura e Ibrit vjen pas deklarimeve të tij se ura duhet të hapet për qarkullim edhe të automjeteve, megjithëse kërkesa e ndërkombëtarëve është që kjo gjë duhet të ndodhë në koordinim me ta.