Zhavori në rrugë në Leposaviq, 26 maj 2023

KFOR: U shkaktuan përplasje nga hyrja e dhunshme e kryetarëve të sapozgjedhur në ndërtesat e komunave

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR ka thënë se po monitoron nga afër situatën në veri të Kosovës.

KFOR thotë se janë shkaktuar një sërë përplasjesh nga “hyrja e dhunshme e kryetarëve të sapo zgjedhur në ndërtesat e komunave”.

“KFOR-i është duke monitoruar nga afër situatën në Komunat në veri të Kosovës ku janë shkaktuar një sërë përplasjesh nga hyrja e dhunshme e kryetarëve të sapozgjedhur në ndërtesat e komunave. Kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme për procesin e normalizimit dhe rrezikon përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve” – thuhet në njoftim të KFOR.

KFOR-i thotë se dënon këto akte të njëanshme teksa ju ka bërë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga dhuna që mund të kërcënojë sigurinë në Kosovë.

“KFOR-i dënon me vendosmëri këto akte të njëanshme dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga dhuna që mund të kërcënojë sigurinë në Kosovë. Koordinimi midis të gjithë aktorëve është thelbësor për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm” – theksohet në reagimin e KFOR.

“Prioriteti i parë i KFOR-it mbetet sigurimi i një mjedisi të sigurt, në përputhje me mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Dialogu dhe diplomacia janë e vetmja rrugë drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në Kosovë”- thuhet mes tjerash në njoftim.

Që nga mesdita, në katër komunat e veriut të vendit është dëgjuar alarmi, ndërsa pranë disa objekteve komunale, si në Zveçan e në Zubin Potok, janë parë qytetarë të cilët kanë kundërshtuar futjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.

Pesë policë të Kosovës kanë pësuar lëndime të lehta trupore, pasi janë sulmuar nga protestuesit në Zveçan me mjete të forta dhe shok-bomba, ka konfirmuar Policia e Kosovës.

 

LIVE – Zhvillimet e fundit në veri