(Ilustrim) Foto: Denis Sllovinja / KALLXO.com

KFOR rikonfirmon qëndrimin se vendimet për Urën e Ibrit duhet të merren përmes dialogut politik

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka rikonfirmuar përmes një komunikate qëndrimin se çdo vendim në lidhje me Urën e Ibrit duhet të merret përmes dialogut politik dhe në mënyrë të koordinuar.

Komunikata për media nuk ka përmendur asgjë lidhur me takimin e sotëm (13.08.2024) të komandantit të KFOR-it, Ozkan Ulutash me kryeministrin Albin Kurti, të cilët folën pikërisht për këtë temë.

KFOR thotë se është thelbësore që të gjitha palët të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e njëanshme që mund të krijojnë tensione, si çelës për siguri e qëndrueshmëri në Kosovë e stabilitet në rajon.

“KFOR-i gjithashtu mban një prani fikse në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe kryen patrullime të rregullta në zonat përreth. Rikonfirmojmë se çdo vendim në lidhje me urën mbi lumin Ibër duhet të merret përmes dialogut politik dhe në mënyrë të koordinuar. Në këtë drejtim, ne vazhdojmë të mbështesim plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës” – thuhet në komunikatë.

Ky institucion thotë se do të vazhdojë përmbushjen e misionit të tij të mandatuar nga OKB-ja.

“Ne kemi një prani të dukshme dhe fleksibël në mbarë Kosovën dhe komandanti i KFOR-it ka autoritetin për ta përshtatur atë sipas nevojës dhe nuk do të hezitojë të veprojë në përgjigje të çdo zhvillimi relevant të sigurisë dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së” – thuhet ndër të tjera.

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar sot se në takim, Kurti ka njoftuar komandantin e KFOR-it lidhur me punët që po zhvillohen në urë dhe rezultatet e raportit preliminar për qëndrueshmërinë e urës.

“Në kuadër të hapave të nevojshëm të ndërmarrë nga Qeveria për hapjen e urës, ai rikujtoi dhe takimin publik me qytetarët e Mitrovicës së Veriut, të organizuar më 8 gusht nga komuna e Mitrovicës së Veriut e ku të pranishëm ishin qytetarë nga komuniteti serb, organizata joqeveritare dhe përfaqësues nga niveli qendror e lokal si dhe KFOR-i dhe EULEX” – thotë ZKM.

KFOR-i pati thënë në mes të korrikut se çdo vendim rreth urës duhet të merret në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Përderisa Qeveria e Kosovës po synon hapjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë, shtetet e QUINT-it dhe Bashkimi Europian kanë kundërshtuar këtë përmes disa deklaratave publike.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha sot (13.08.2024) se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.

“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën” – tha sot ambasadori amerikan për Radion Evropa e Lirë.

“Shpresa jonë është që Qeveria do ta dëgjojë këtë dhe do t’i marrë parasysh këto shqetësime”- ka shtuar ai.

Ndërsa, Bashkimi Europian ka planifikuar që ta vendosë “statusin” e Urës së Ibrit në agjendën e takimit të ardhshëm në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Ideja e përfshirjes së kësaj teme në dialog është kundërshtuar më parë edhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ministria e Infrastrukturës ka publikuar sot raportin preliminar që thotë se Ura e Ibrit është stabile, e qëndrueshme dhe funksionale për qarkullimin e veturave – gjë që u hap rrugë autoriteteve kosovare që ta hapin urën.

Raporti është përpiluar nga kompania “IPE-PROING”, e cila ka bërë matjet dhe testimet me mauna mbi Urë, gjatë javës së kaluar.