Foto: ZKM

KFOR refuzoi kërkesën e Kosovës, për dërgimin e FSK-së në Veri

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, konfirmoi për Radio Evropa e Lirë, se: ‘institucionet e Kosovës, pas shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit, në Komunën e Zubin Potokut, në Veri, më 29 nëntor, kishin kërkuar autorizim nga komandanti i KFOR-it, për dërgimin e mundshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK-së), në zonën e prekur’.

,,Komandanti i KFOR-it nuk ka dhënë një autorizim të tillë – bazuar në vlerësimin e tij të sigurisë dhe veprimet që, tashmë, janë ndërmarrë nga KFOR-i.” – tha KFOR, në një përgjigje me shkrim, për Radio Evropa e Lirë.

Kosova e bëri këtë kërkesë në përputhje me Marrëveshjen e vitit 2013 – të nënshkruar mes institucioneve të Kosovës dhe NATO-s – sipas së cilës, Kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, e siguroi NATO-n, se: ‘FSK-ja nuk do të shkojë në Veri, pa pëlqimin paraprak të KFOR-it’.

,,Siç është komunikuar në deklaratën tonë të djeshme, KFOR ka vendosur njësite për të siguruar zonën e dëmtuar të kanalit të ujit në Zubin Potok. KFOR, gjithashtu, ka ofruar ndihmë shtesë për institucionet në Kosovë – duke përfshirë mbështetje logjistike, e për asgjësimin e mjeteve shpërthyese.” – tha KFOR, në përgjigjen e tij.

Misioni shtoi, se: ‘Komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt me të gjithë partnerët e tij kryesorë – duke mbajtur situatën nën vëzhgim’. Kosova fajëson Serbinë se qëndron pas shpërthimit në Veri – akuzë të cilën Serbia e mohon.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të dielën në mbrëmje, gjatë një konference për shtyp nuk iu përgjigj pyetjes – nëse, ai i kishte kërkuar KFOR-it leje për ta dërguar FSK-në në Veri. Por tha, se: ,,Ne jemi të kufizuar në Veri duke qenë se Ushtria jonë – bazuar në Marrëveshjen e vitit 2013 – nuk mund të shkojë në Veri.”

“Prandaj, situata atje nuk është e njëjtë – si në pjesët e tjera të vendit tonë.”

Kurti shtoi, se: ‘edhepse nuk i pëlqen zotimi i dhënë për mosdërgimin e FSK-së në Veri, ai do ta respektojë atë’.

,,A do të ishte më mirë dhe më e sigurtë të ishte Ushtria e Kosovës? Po, do të ishte. Mirëpo, nuk është atje, dhe ne e respektojmë atë zotim që ka dhënë Thaçi.”- ka thënë Kurti.

Më herët gjatë ditës së sotme, presidenti serb Aleksandër Vuçiq, tha, se: ‘Kurti e ka bërë këtë kërkesë NATO-s’.

Shpërthimi ndaj kanalit në fshatin Varragë të Zubin Potokut nuk shkaktoi viktima, por e krijoi një çarje të madhe në murin anësor të tij – duke shkaktuar rrjedhë të ujit jashtë kanalit dhe duke bërë që disa pjesë të vendit të përballeshin me reduktime uji.

Nga hidrosistemi ‘Ibër-Lepenci’, në Gazivodë (Zubin Potok), furnizohet me ujë: i gjithë Veriu i Kosovës, rajonet e Mitrovicës; si dhe, Prishtina me rrethinë – përfshirë edhe Korporatën Energjetike të Kosovës, për ftohjen e termoelektranave të saj./REL