KFOR: Po punojmë së bashku për sigurinë e qytetarëve në Kosovë kundër COVID-19

KFOR ka njoftuar se po monitoron vazhdimisht situatën në terren dhe po vazhdon të kontribuojë në një mjedis të sigurt në lidhje me situatën e krijuar nga pandemia coronavirus.

Sipas njoftimit të KFOR-it, aktivitetet janë zhvilluar në gjithë Kosovën nga Komanda dhe nën- njësitë e KFOR-it të udhëhequra nga Italia dhe Shtetet e Bashkuara.

Qëllimi i aktiviteteve sipas KFOR është ndërmarrja e masave parandaluese të rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetit kundër coronavirusit.

“Në javën e kaluar, numri i patrullimeve të kryera nga njësitë e këmbësorisë dhe policisë KFOR arriti në 276, ndërsa bashkëpunimi me Institucionet në Kosovë u mbajt përmes mbi 200 angazhimeve të kryera nga Ekipet Ndërlidhëse dhe Monitoruese të KFOR-it”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, shumë aktivitete u kryen nga njësitë e KFOR-it në bashkëpunim të ngushtë me Organizatat e Sigurisë në Kosovë, përfshirë zbatimin e kontrollit të hyrjes në zonat e kufizuara për shkak të COVID-19.

“Në të njëjtën kohë, Batalioni i Rezervave Taktike të KFOR-it ka kryer rregullisht aktivitete të kontrollit të turmave dhe trazirave, në mënyrë që të sigurojë një reagim të shpejtë, si përgjigjen e tretë pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, për çdo situatë që mund të ndikojë në sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë”, thuhet tutje në njoftim.