Foto: Denis Sllovinja / KALLXO.com

KFOR për situatën në veri: Jemi të gatshëm për t'u përgjigjur nëse kërkohet

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, është duke vazhduar të monitorojë nga afër situatën në fshatin Banjskë të Zveçanit dhe është shprehur i gatshëm t’i përgjigjet situatës nëse kërkohet.

“KFOR-i vazhdon të monitorojë nga afër situatën në Banjska dhe trupat e KFOR-it janë të pranishme në zonë, të gatshme për t’u përgjigjur nëse kërkohet. Policia e Kosovës, si reaguese e parë, ka përgjegjësinë parësore për menaxhimin e incidentit në terren”- është deklaruar KFOR.

Në njoftim thuhet se “Komandanti i KFOR-it është në kontakt të ngushtë dhe të vazhdueshëm me të gjitha palët e interesuara ndërkombëtare, përfshirë BE-në, Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë dhe me institucionet në Kosovë, dhe po punon intensivisht për të gjetur një zgjidhje”.

KFOR ka dënuar ashpër sulmin kundër Policisë së Kosovës dhe i ka shprehur ngushëllime familjes së policit të vrarë.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë dhe dy të tjerë u plagosën pas sulmit në fshatin Banjskë të Zveçanit.

KALLXO.com ka raportuar se persona të maskuar dhe të armatosur janë brenda manastirit të Banjskës.

Kryeministri Albin Kurti në një konferencë për media ka publikuar fotografi nga manastiri ku shihen personat e armatosur dhe me uniformë.