Foto: Denis Sllovinja / KALLXO.com

KFOR mirëpret zvogëlimin e pranisë së Policisë së Kosovës në dhe rreth ndërtesave komunale në veri të vendit

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka mirëpritur zvogëlimin e numrit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në ndërtesat komunale dhe përreth tyre në komunat në veri të vendit.

KFOR thotë se ky vendim është një hap i rëndësishëm drejt shtendosjes së situatës dhe promovimit të dialogut.

“Vendimi i marrë në një takim teknik të mbajtur nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i, është një hap i rëndësishëm drejt uljes së tensioneve dhe promovimit të dialogut. Në këtë drejtim, KFOR-i pajtohet se ka pasur një përmirësim në situatën e sigurisë në zonë, por e kemi të rëndësishme të sqarohet se pikëpamja jonë nuk është rezultat i një aktiviteti të përbashkët vlerësimi”- thuhet në komunikatë.

KFOR thotë se mbështet plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe mbetet në kontakt dhe koordinim të ngushtë me palët vendore dhe ndërkombëtare.

“Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO-ja mbështet plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe mbetet në kontakt dhe koordinim të ngushtë me të gjithë bashkëbiseduesit vendorë dhe ndërkombëtarë”- thekson KFOR.

Sot gjatë ditës është zvogëluar për 25 për qind numri i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në objekte dhe rreth objekteve të 4 komunave në veri të Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com zëvendësdrejtori i Policisë i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë-Veri, Veton Elshani.

“Mund të konfirmoj se është bërë tërheqja e 25 për qind e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në objektet dhe përreth objekteve komunale”- tha ai.

Zvogëlimi për 25 për qind i prezencës policore në objektet komunale dhe rreth tyre është një ndër pikat e dakordimit mes Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për shtendosje të situatës në veri.

Njoftimin se sot do të fillojë tërheqja e pjesëtarëve të Policisë e ka bërë të ditur vetë Policia e Kosovës përmes një komunikate.

“Ekipet e Policisë së Kosovës bashkë me EULEX dhe KFOR, do të vijojnë koordinimin dhe do të ndërmarrin veprimet e nevojshme sipas vlerësimit të rregullt të situatës së sigurisë në dhe përreth objekteve komunale, në komunat veriore të Republikës se Kosovës”- thuhet në komunikatën e Policisë.

Vendimin për tërheqje e ka mirëpritur i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

“E mirëpres vlerësimin e parë të përbashkët të sotëm të sigurisë ndërmjet Policisë së Kosovës, EULEX-it në Kosovë dhe KFOR-it siç është rënë dakord në Bratisllavë. Ky është një hap i rëndësishëm drejt shtendosjes së plotë të tensioneve në veri të Kosovës”-  ka shkruar Lajçak në Twitter.

Përveç zvogëlimin të prezencës policore, dakordimi i BE-së me Qeverinë e Kosovës parasheh edhe vlerësimin e vazhdueshëm të gjendjes për zvogëlim të mëtejmë të kësaj prezence, nxitje të zgjedhjeve të parakohshme lokale si dhe vendosjen e bazës së nevojshme ligjore.

Forcat e rendit në objektet e komunave veriore, përkatësisht Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, janë shtuar pasi serbët lokalë e kanë kundërshtuar vendosjen e kryetarëve të rinj në ato komuna.

Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj 2023, kur kryetarët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë. Për të kundërshtuar këtë, qytetarët e komunitetit serb kanë mbajtur protesta.

Më 29 maj, nga përplasja e protestuesve me pjesëtarët e KFOR-it kanë mbetur të lënduar dhe plagosur 30 pjesëtarë të KFOR-it.

BE dhe SHBA kanë kërkuar shtendosje të situatës, tërheqje të Policisë së Kosovës nga objektet komunale si dhe zgjedhje të reja në komunat veriore.

Zvogëlohet numri i pjesëtarëve të Policisë në dhe përreth objekteve të 4 komunave në veri të Kosovës