Foto: Facebook/ Kosovo Force - KFOR

KFOR: Jemi të përgatitur për të ndërhyrë nëse rrezikohet stabiliteti në veri të Kosovës

Forca paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë, KFOR, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.

KFOR-it situatën e përgjithshme të sigurisë në komunat veriore të Kosovës e ka cilësuar të tensionuar.

“Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO po monitoron nga afër dhe është i përgatitur të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti, në përputhje me mandatin e tij, që vjen nga Rezoluta 1244 e OKB-së e vitit 1999”, ka theksuar KFOR përmes një komunikate.

Situata në veri të vendit është tensionuar pasi sot pasdite qytetarë serbë të Kosovës kanë bllokuar me kamionë dhe automjete të tjera rrugët që çojnë drejt dy pikave kufitare me Serbinë, Bërnjak dhe Jarinjë.

Policia ka njoftuar se njësitë e saj janë sulmuar edhe me armë zjarri në veri.

Kjo situatë është krijuar pas vendimit të Qeverisë për të ndaluar përdorimin targave ilegale nga qytetarët serbë dhe për të zbatuar përdorimin e letër-deklaratave për qytetarët serbë që hyjnë në Kosovë, njëjtë sikur vepron Serbia me qytetarët e Kosovës.

Zbatimi i të dy vendimeve do të fillojë pas gjysmë ore.