KFOR ishte njoftuar për inspektimin teknik në Urën e Ibrit
Misioni paqeruajtës në Kosovë, KFOR, ka bërë të ditur se herët në mëngjes, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, është njoftuar nga drejtori i Policisë së Kosovës për një inspektim teknik në urën kryesore mbi lumin Ibër.
Njësitë e KFOR-it mbajnë një prani të përhershme, fikse në urë dhe vazhdojnë të kryejnë patrullime të rregullta në zonat përreth për të garantuar stabilitet dhe siguri, për të mirën e të gjitha komuniteteve lokale, shkruan në një komunikatë të KFOR.
“Ne nuk do të hezitojmë të trajtojmë çdo zhvillim që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë dhe stabilitetin rajonal, në respekt të plotë të mandatit tonë të OKB-së”- shkruan në komunikatë.
Sipas tyre, qëndrimi i KFOR-it ka qenë i qartë dhe konsistent gjatë gjithë kohës.
KFOR ripërsëriti që çdo vendim në lidhje me hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
KALLXO.com sot më 06.08.2024 raportoi se kompania fituese është përzgjedhur “IPE-PROING”. Madje, të martën më 06.08.2024 punëtorët e kompanisë dolën në terren për të kryer disa matje të urës.
Nga kompania nuk pranuan të deklarohen për KALLXO.com ndërsa, përmes telefonit refuzuan të japin detaje nga kompania.
“Çka të intereson ty çka bëjnë punëtorët e mi, kjo është kompani private ty fare nuk të intereson, nuk të intereson. Janë dal me shëtitë bre… vete qeverinë, ti s’ki drejtë me më thirrë hiç” – kanë thënë nga kompania “IPE-PROING” përmes telefonit.
Testimi i Urës së Ibrit, punëtorët e kompanisë dalin në terren
KALLXO.com ka kërkuar edhe një përgjigje nga Qeveria e Kosovës në lidhje me këtë çështje, por deri në publikimin e këtij artikulli, zëdhënësi, Përparim Kryeziu nuk është përgjigjur.
Në anën tjetër, Ministria e Infrastrukturës përmes platformës elektronike ka publikuar kontratën për dhënien e një tenderi me titull “Përcaktimi i kapacitetit mbajtës të strukturës së urës ekzistuese mbi lumin Ibër në Mitrovicë , me ngarkesa testuese”.
Vlera e tenderit është 9 mijë e 640 euro.
Prej kur nisi diskutimi në publik për mundësinë e hapjes së urës mbi lumin “Ibër” përfaqësues të shteteve të huaja në vendin tonë e kanë kundërshtuar si ide.
“Simboli i normalizimit”: Fati i Urës së Ibrit i varur nga dialogu në Bruksel