Foto: Facebook/KFOR

KFOR-i tregon përpjekjet e tij në Kosovë, ndaj situatës me COVID-19

Forcat e Armatosura të NATO-së dhe misioni i KFOR-it në Kosovë kanë bërë të ditur se janë duke vazhduar përpjekjet për menaxhimin e situatës nga pandemia COVID-19.

Në një komunikatë për media të KFOR-it thuhet se që nga shpërthimi i coronavirusit, forcat e armatosura aleate kanë luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetjen e përgjigjes së aleancës ndaj pandemisë globale.

Edhe në Kosovë, thuhet se ekipe specialistësh nga aleatët dhe partnerët e NATO-s – përfshirë Austrinë, Italinë, Slloveninë dhe Zvicrën – janë bashkuar në përpjekjet për këtë qëllim.

Komandanti i KFOR-it, Michele Risi ka deklaruar se vëzhgimi mjekësor dhe dezinfektimi i vendbanimeve shumëkombëshe të KFOR-it janë një demonstrim konkret i kontributeve të rëndësishme të dhëna nga aleatët dhe partnerët e NATO-s në përpjekjet e KFOR-it.

“Ne po i integrojmë plotësisht këto kontribute në masat parandaluese që ne kemi zbatuar për të parandaluar përhapjen e virusit dhe për të minimizuar me sukses rreziqet për ushtarët dhe civilët tanë, dhe për të gjitha komunitetet që u shërbejmë në tërë Kosovën”, deklaroi Risi.

Sipas njoftimit, Komanda Logjistike e Ushtrisë Italiane siguroi një ekip prej tre mjekësh që kryen një studim 4-ditorë në selinë e KFOR-it dhe bëri një ekzaminim gjithëpërfshirës të personelit shumëkombësh ushtarak dhe civil të vendosur në atje.

“Ekipi këshilloi praktikat më të mira për të zbatuar, në lidhje me trajtimin dhe evakuimin e pacientëve të mundshëm COVID-19 dhe për sjelljet individuale dhe masat higjienike për të parandaluar më tej përhapjen e virusit”, thuhet në njoftim.

“Ushtria italiane po ofron poashtu një ekip prej nëntë personash nga Regjimenti “Cremona” për mbrojteje kimike-biologjike-radiologjike-bërthamore duke kontribuar  në dezinfektimin aktual të zonave të përbashkëta mbrenda Forcës së Kosovës të udhëhequr nga NATO, së bashku me personelin  dhe asetet e kontribuara nga Austria, Slovenia dhe Zvicra, nën mbikqyrjen e Grupit Mbështetës të shtabit qendror të KFOR-it”, vijon komunikata.

Ekipi thuhet se ka zbarkuar në Prishtinë në javën e parë të majit dhe ka dezinfektuar tashmë seksionin ushtarak të aeroportit, ku trupat dhe ngarkesat e KFOR-it po kalojnë rregullisht.

“Specialistët italianë tani do të kryejnë aktivitetet e tyre në objektet mjekësore dhe vendet e akomodimit në kampin Film City, i cili përbën shtabin qendror të KFOR-it. Pajisjet speciale të Regjimentit të 7-të përfshijnë sisteme të brendshme të dekontaminimit, kostume për të mbrojtur kundër kërcënimeve kimike-biologjike-radiologjike-bërthamore, respiratorë FFP3, doreza dhe sende të tjera të veçanta të mbrojtjes personale”, thuhet në njoftim.

Kapiteni Paolo Nasto është drejtuesi i ekipit dhe Regjimenti i tij tashmë ka patur përvoja të ngjashme në Italinë Veriore, si pjesë e task forcës së ushtrisë italiane e përbërë nga 21 ekipe, disa prej të cilave janë dislokuar edhe jashtë shtetit.

“Në përgjithësi, ne përdorim një zgjidhje prej 0,1% Hypochlorite natriumi, e cila është një përqendrim i duhur për të vrarë virusin. Përndryshe, në disa sipërfaqe ne përdorim etanol. Orari ynë përmban rreth 30 ndërtesa të tëra: po kërkon punë që do të sjellë shumë përmirësime në shëndetin e kampit dhe banorëve të tij”, citohet të ketë thënë Nasto.

Në komunikatë mes tjerash thuhet se aftësia e KFOR-it për të kryer misionin e vet në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara nuk është zvogëluar.

“Në javët e fundit njësitë e KFOR-it kanë vazhduar të kryejnë aktivitetet e tyre të përditshme që synojnë mirëmbajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të mirën e të gjithë qytetarëve në Kosovë, ndërsa miraton të gjitha masat parandaluese të rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetit në përgjigje të COVID -19”, përfundon njoftimi.