
KFOR-i thotë se nuk ka "listë të zezë" me emrat e zyrtarëve që u ndalohet hyrja në Leposaviq
Forca shumëkombëshe e udhëhequr nga NATO në Kosovë thotë se deklaratat se KFOR-i ka një ‘listë të zezë’ me emrat e disa zyrtarëve të institucioneve të Kosovës që ua ndalon hyrjen në Leposaviq janë “të pabazuara” dhe se këto deklarata i kundërshtohen me vendosmëri.
Përmes një komunikate, KFOR-i fton të gjithë akterët që të përmbahen nga deklarata dhe veprime të njëanshme që mund të krijojnë tension të panevojshëm dhe efekte negative në stabilitetin e rajonit.
‘KFOR-i nuk interferon në të drejtën e lëvizjes së individëve nëpër Kosovë. KFOR-i gjithashtu siguron komunikim të rregullt me të gjithë homologët kyç’ – thuhet mes tjerash në komunikatë.
Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, në debatin “Jeta në Komunë” në emisionin “Kallxo Përnime” ka folur për një “listë të zezë” të KFOR-it dhe ndalesën e qeveritarëve për të hyrë në Leposaviq.
Sipas tij, në këtë “listë të zezë” hyjnë nga Radomiroviqi, Krasniqi e kështu më radhë të gjithë ministrat.
“Ka vazhduar i njëjti avaz kështu që dikur ma ndaluan komplet Qeverinë kur erdhën amerikanët ma qitën me letra, me fotografi. Iu thash a jeni bre në veti a jeni normal? Qysh funksionon kryetari pa një qeveri komplet që e keni shti në listë të zezë? Të gjithë, ma s’pari Radoica, zëvendësministrin Arbër Vokrri, Elberti e rend. Pos kryeministri edhe shefja e shtetit nuk kanë qenë në këtë ‘listë të zezë’”- potencoi Hetemi.
Sipas këtij të fundit, kjo ka ndodhur për shkak se KFOR-i ka menduar që hyrja e ministrave në Komunë po sjell probleme.
Hetemi flet për ‘Listën e zezë’ të KFOR-it, kujt iu ndalua hyrja në Komunën e Leposaviqit